Hovit: Të hiqet statusi quo për Maqedoninë

Raportuesi i Parlamentit Europian për Maqedoninë, Riçard Hovit ka deklaruar se statusi quo aktuale për Maqedoninë përsa i përket anëtarësimit në BE, nuk është i kënaqshëm. Anëtarësimi i Maqedonisë në BE është në interes të Britanisë, Bashkimit Europian dhe Greqisë", ka deklaruar europarlamentari britanik Hovit në një intervistë për Deutsche Ëelle. Sipas tij, Parlamenti Europian mbështet anëtarësimin sa më të shpejt të Maqedonisë në BE. Ai theksoi se kompromisi për kontestin e emrit është shumë me rëndësi. Europarlamentari Hovit nuk ka dhënë komente lidhur me rrjedhën e procesit të negociatave për kontestin e emrit. Më herët u deklaruar se Maqedonia gjatë vitit 2012 pritet të jetë jashtë axhendave të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kriza greke dhe anashkalimi i kontestit të emrit nga qeveria e përkohshme greke, negociatat pa sukses që po zhvillohen nën patronatin e OKB-së si dhe kriza e eurozonës, kanë lënë jashtë axhendës Maqedoninë në planin e integrimit të saj në strukturat euroatlantike, vlerësojnë analizat ndërkombëtare dhe ato vendore. Në Samitin e ardhshëm të NATO-s në muajin maj është paralajmëruar humbja e shansit për të përfituar ftesën për anëtarësim. Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker dy ditë më parë deklaroi në Shkup se nuk mund të parashikonte nëse do të ketë ftesë për Maqedoninë për anëtarësim në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Çikago.