Proteston Vetëvendosje, Kurti: Reciprociteti nuk ka afat

Protestuesit e Lëvizjes "Vetëvendosje!" do të qëndrojnë edhe natën pranë pikave kufitare dhe nuk do të tërhiqen. Kështu theksojnë mediat kosovare të cilat citojnë burime jo zyrtare të lëvizjes ndërsa shtojnë se aktivistët kanë paralajmëruar se do të ketë mjete logjistike, batanije dhe ushqime për ta për të vazhduar protestën dhe bllokadat.
Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje!", Albin Kurti deklaroi se qytetarët e Kosovës masivisht janë të pranishëm në protestën paqësore për të bllokuar Serbinë. "Pavarësisht të gjitha manipulimeve dhe pengesave nga ana e policisë dhe qeverisë së Kosovës, qytetarët masivisht kanë dalë në protestën tonë. Policia ka bllokuar rrugën dhe marshin tonë paqësor. Ne jemi kundër Serbisë dhe jemi në mbrojtje të republikës dhe prodhimeve vendore. Duam të ndalojmë ndërhyrjen dhe hyrjen e Serbisë në Kosovë", theksoi Albin Kurti në protestën në afërsi të vendkalimit kufitar Merdare.
Ai tha se kanë ardhur aty që të qëndrojnë në mbrojtje dhe reciprocitet të plotë me Serbinë. "Ne na pengon policia, policia është dashur që të na lejojë rrugëtimin tonë deri në kufi. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Shpresojmë që policia do të ndryshojë planin dhe të na lejojë. Ne do të qëndrojmë këtu që institucionet shtetërore, qeveria ta zbatojmë reciprocitet. Deri sa jemi këtu asnjë maune e Serbisë nuk ka kaluar dhe kështu po respektohet reciprocitetit", theksoi Kurti.
Albin Kurti nuk ka bërë me dije se deri kur do të vazhdojë protesta por vetëm ka thënë se reciprociteti nuk ka afat. "Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, të bëjmë trysni për tu bllokuar mallrat serbe për të hyrë në Kosovë" ka shtuar ai ndërsa nuk ka saktësuar ndonjë orë, kur Vetëvendosje do të tërhiqet nga protesta.
Edhe ish-ambasadori dhe diplomati amerikan, Uilliam Voker po qëndron pranë protestuesve në Merdare, duke theksuar se protesta është e drejtë qytetare.
Në Merdare, protestuesit në mënyrë të qetë kanë bllokuar një korsi të rrugës që lidh Podujevës me Merdaren. Situata është vlerësuar e qetë dhe se protestuesit kanë zbatuar një strategji të re, duke bllokuar edhe dy ura mbi autostradë.
Policia e Kosovës ka vendosur para pikës kufitare në Merdare, rreth 3-4 post-blloqe, në mënyrë që të identifikohen kalimtarët që po shkojnë drejt Merdares.
Në protestë janë pjesëmarrës të gjithë krerët dhe deputetët e Lëvizjes, duke përfshirë edhe deputetin Florim Krasniqi. “Protesta do të jetë paqësore. Policia të mos na pengojnë”, ka thënë Kurti, gjatë fillimit të protestës.
Lëvizja "Vetëndosje!" ka njoftuar se janë arrestuar tre aktivistë të saj nga Shqipëria, në Morinë, protestues që po vinin për në Merdare. Të arrestuarit sipas Vetëvendosjes janë: Elvis Hoxha, Ermir Harulla, Bojken Abazi.
Policia e Kosovës, nëpërmjet një deklarate, apo raport informues, siç e quan, ka udhëzuar përfaqësuesit e mediave si të sillen dhe si të veprojnë në protestën e sotme të Vetëvendosjes.
Në këtë “raport informues” të policisë thuhet se Policia e Kosovës “i mundëson opinionit publik që të ketë qasje në informacione dhe të dhëna mbi veprimtarinë e PK-së, dhe të drejtën e mediave për të raportuar në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me opinionin si dhe publikimin e informatave, deri në kufijtë ku nuk cenohet e drejta e individit, nuk pengohet ndjekja dhe hetimi i kryerësit të veprës inkriminuese ose nuk ndërhyn në procesin e zbatimi të ligjit”.