Pjetrushi: S`kam lidhje me shpërthimin në banesën e Admir Tafilit
Ish-shefi i krimeve në Malësinë e Madhe Prel Pjetrushi ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në banesën e Admir Tafilit. Në një linjë telefonike për “Ora News” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Pjetrushi ka kërkuar nga autoritetet përkatëse të zbardhin sa më shpejt ngjarjen.
“As unë që ndodhem në Amerikë dhe askush tjetër nuk merret me këto gjëra. I bëj thirrje shtetit që të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje. Është një atentat që ata i bëjnë vetes për të përfituar letrat në ndonjë vend azilant. E siguroj familjen se nuk merremi me ato gjëra sepse ata dalin nëpër media duke u qarë me lot krokodili” ka theksuar Pjetrushi.
Ai ka fajësuar edhe organet e policisë se nuk kanë bërë asgjë në lidhje me zbardhjen e vrasjes së dy vëllezërve të tij një vit më parë ndërsa ka deklaruar edhe njëherë se nuk është ai përgjegjës për vdekjen e babait të Admir Tafilit.
“Nuk jam unë përgjegjës për vrasjen. Kam pritur që të dalë edhe ministria e brendshme të prononcohet për këtë ngjarje. Një vit më parë mu vranë 2 vëllezërit dhe asnjë masë nuk është marrë nga ministria e brendshme. Ai njeri që vrau ka dalë nga burgu duke u mbështetur nga një politikan i lartë” ka theksuar më tej Pjetrushi.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, një sasi tritoli është vendosur në banesën e Admir Tafilit në Shkodër por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale.