E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luli Bitri: Rikthehem në shtëpi, edhe pse nuk e di ku e kam...

Ngjitja pas katër vitesh në skenën teatrore, risolli sërish suksesin e aktores që prej vitesh jeton në Itali

I kishte munguar skenës teatrore shqiptare, por vetëm para disa ditësh ajo triumfoi sërish në teatër, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut. Personazhet që ka ngjitur në skenë aktorja Luli Bitri po shënohen njëri pas tjetrit.

I fundit në radhë është Kloe në shfaqjen Më e vërteta se e vërteta, e cila para disa ditësh u ngjit më sukses në skenën teatrore. Aktorja Luli Bitri që në fillimet e karrierës së saj artistike si në teatër ashtu dhe në kinematografi u dallua për talentin e saj. Me shumë bashkëpunime me emrat më të njohur të regjisurës shqiptare, aktorja u bë shumë shpejt një emër i dashur për publikun, i cili e mirëpret gjithmonë. Aktorja Bitri prej disa vitesh jeton në Itali, ku atje ka ndërtuar një karrierë, por siç pohon dhe ajo vetë gjithmonë i ka mbajtur lidhjet me teatrin shqiptar. Komedia ku aktorja u ngjit në skenë pas katër vitesh vinte me një mesazh të madh. Askush nuk mund të parashikojë dashurinë, madje as dhe një program i kompjuterizuar me titullin Menu speciale. Ky ishte thelbi i komedisë dramatike Më e vërtetë se e vërteta nën regjinë e Rozi Kostanit. Mes emocionesh spektatori dhuroi duartrokitje mjaft të ngrohta për aktoren Lul Bitri në rolin e Kloes, si dhe për Lulzim Zeqjen në rolin e Xhulios, dhe Neritan Liçajt në rolin e Françeskos, të cilët natyrshëm u shkrinë mirë me njëri-tjetrin për të përcjellë mesazhe të forta. E ndërkohë, si e përjetoi aktorja këtë rikthim dhe cilat janë projektet e saj artistike ajo na i zbulon në vijim të kësaj interviste.

-Shfaqja Më e vërtetë se e vërteta erdhi në skenën e Metropolit. Si u ndje Luli Bitri në këtë shfaqje?
Jam ndjerë shumë mirë. Ky ishte një tekst që e kam pasur në dorë para aktorëve të tjerë, pasi jam marr edhe me përkthimin, dhe më ka lënë mbresa që në momentin e parë. Unë i adhuroj këto pjesë sepse kanë një dialog, që jo vetëm nuk të lodh por të intrigon, të jep dorë si aktor dhe ti parashikon se te publiku gjithashtu do bëj të njëjtin efekt. Kjo është një komedi, që iu flet të gjithëve, nuk i flet vetëm një shtrese të caktuar dhe një problemi të caktuar. Autori artikulon nëpërmjet një dialogu brilant e personazheve të vizatuara bukur, të pathëna, që ne ndoshta as vetes nuk ia pohojmë.

-Sa e vështirë ka qenë për ju që ta sillni këtë vepër në gjuhën shqipe?
Unë nuk jam përkthyese dhe ndoshta u bazova tek nevoja që ka një aktor për një tekst të folur dhe jo të shkruar( d.m.th një tekst që është veprues e jo letrar). Nuk isha e sigurt për rezultatin, por fakti që gjatë punës u korrigjuan pak gjëra dhe publikut i erdhi i saktë, besoj se është bërë mirë.

-Kjo komedi ju ka pëlqyer që në momentin e parë, pse ?Çfarë mund ti thuash publikut nëpërmjet saj?
Kam përshtypjen se intuita është pika ime më e fortë. Kur që në leximin e parë merr emocione, do të thotë se ke diçka për të thënë nëpërmjet saj. Kjo komedi trajton përveç dixhitalizimit të jetës, edhe problemet shekullore në çift, marrëdhëniet shoqërore, aludimet nëse ekziston vërtetë dashuria dhe njeriu ideal,e deri tek hipotezat që hedh autori mbi pasojat e ADN. Është e frikshme, por duke e menduar gjatë në nuk i marrim vetë vendimet tona, jemi të varur që nga ADN e deri ç'na edukon e na mëson familja e shkolla. Nënë Tereza thoshte një shprehje: Ne vrapojmë dhe harrojmë që të ndalojmë dhe ti buzëqeshim njëri-tjetrit. Me fjalë jo të shenjta do e përktheja, na merr ritmi i përditshëm dhe harrojmë se për çfarë shërbejnë ato që bëjmë. A është statusi social e ekonomik ai që na bashkon me njerëzimin apo në përpjekje për të arritur këto humbasim njëri -tjetrin. Çfarë kostoje na duhet të paguajmë për të qenë në "Xhiro," për të ecur me kohën? Unë besoj se jeta nuk funksionon me strategji, por me ndjesi. Nuk ka rëndësi nëse nuk bëjmë gjëra të mëdha çdo ditë, ka një kohë për të gjitha, duhet të këtë, kohë për të shijuar ç'ke arritur. Kohë për të pyetur prindërit se si ishte rinia e tyre dhe çfarë ëndrrash kanë? Në shumë shpesh harrojmë se çfarë duam, nuk ndalojmë të pyesim veten, që kjo që po bëj është ajo që unë dua vërtetë?

-Lulit i ndodh shpesh të ndaloj e të pyes veten për çfarë është duke bërë e çfarë do donte në të vërtetë?
Kjo periudhë që jetoj jashtë Shqipërisë më ka ndihmuar shumë pikërisht për të bërë këtë pyetje. Kam kuptuar vlerën e familjes, por në të njëjtën kohë kam përgëzuar veten për zgjedhjen e profesionit. Në Tiranë ka një ritëm të çmendur jete, por të jetosh në Torino apo në Milano ka akoma më shumë. Shoh njerëz skllevër të punës që e pinë një kafe në këmbë e gjatë gjithë kohës ankohen për punën që bëjnë. E ky është momenti kur gëzohem me veten, se unë bëj një punë që e dua vërtetë, deri në sakrificë. Jeta nuk është garë vrapimi, njerëzit vrapojnë, po për ku? Ne duhet të ndalojmë në çdo moment dhe të marrim ndjesi dhe duhet që të shohim anën pozitive tek çdo njeri. Unë të paktën përpiqem që ta mbaj veten në paqe me këtë, më vjen natyrshëm  të mendoj se ky apo ai  njeri është një njeri i mirë, e jo të kundërtën. Sigurisht kjo nuk do të thotë që nuk e nuhas kur shoh të kundërtën, distancohem. Ndjej shumë herë energjinë negative të më vij nga njerëz të vegjël, materialistë, që kanë një frymëmarrje shumë të cekët, e më vjen keq për ta: harrojnë se janë të përkohshëm, të vdekshëm, e nëse mbetet diçka nga ne është vetëm kujtimi i mirë tek ata që jetojnë.

-Thatë që falni shumë, por a keni pësuar zhgënjime nga kjo?
Jam zhgënjyer shumë, por të falësh  fisnikëron shpirtin. Ka gjëra më të rëndësishme në jetë që i bëjnë pretendimet e meritë tona të duken qesharake. Unë mendoj se një aktori i bën mirë vuajtja. Derisa ka zgjedhur të flasë e të jetojë në emër të atyre që nuk e kanë këtë mundësi, i duhet të përpunojë edhe vuajtjen në laboratorin e tij të brendshëm.

-E ndërkohë si erdhi Luli Bitri në këtë vepër?
Se si erdhi roli këtë mund ta thoni ju, por nga përvoja ime me rolin do të thosha se  ky ishte një nga personazhet më të vështirë që unë kam pasur. Në këtë rol duhet që të sillja  një femër ideale. Kjo komedi tingëllon pak maskiliste, sepse janë dy shokë që sjellin në shërbimin e tyre një robot-femër. Xhulio e programon Kloen me karakteristikat e një femre të vërtetë, e cila i mungon. E programon për të dhënë  dashuri dhe krijesa e tij i superon parashikimet. Xhulio sheh tek ajo vetveten, dëshirat e tij më të fshehura, të paartikuluara. Kloe dashuron Xhulion, jetën, por nuk mbyt me dashurinë e saj, siç ndodh ndoshta në jetën tonë të përditshme. Ne ose duam shumë, ose nuk duam fare dhe kjo është karakteristike në Shqipëri. Kloe dashuron pa  kushte. Jep shumë përkujdesje, ajo është grua, është dashnore. Femra ideale ekziston edhe në jetën e përditshme nuk është një përrallë.

-Së fundi ishit me filmin e Artan Minarollit Gjallë. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Kisha një rol shumë interesant. Isha "Vajza e pishinës", me të cilën personazhi kryesor ka një idil ose një shkëndijë le të themi. Ishte një rol karakteri, simpatik dhe i veçantë dhe mua më pëlqejnë rolet e tillë. Është interesant për mënyrën se si ajo sheh jetën, për mënyrën se si ajo reagon me njerëzit, për kontrastin që bën në realitetin që e rrethon etj. Ishte një përvojë e bukur dhe në këtë film.

-Cili ka qenë roli që ju mendoni se e keni më të veçantë?
Ka qenë  roli tek filmi Gjoleka djali i Abazit dhe mbetet një nga rolet më të preferuar ndoshta edhe sepse të gjithë më komplimentojnë për atë rol. Interpretoja rolin e Neimesë. Ajo ishte një vajze e rritur dhe e martuar në Vuno të Vlorës në vitet 20, jetonte me vjehrrin dhe vjehrrën dhe kishte një fëmijë jetim për të rritur. Burri i saj ishte vrarë në emigrim dhe kjo vajzë ndrydhte pasionin e saj, dëshirat e saj, pasi i tillë ishte mentaliteti i atëhershëm: nëse vdes burri ti duhet të rrisësh fëmijët dhe nuk mund të pyesësh më  zemrën se çfarë do. Mua më dha shumë dorë ai rol, sepse dhe kostumet ishin një gjë shumë e bukur, kisha për të eksploruar në kohë dhe kjo ishte josh

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›