Poloni, vota finale mes Komorowski-t dhe binjakut
Ndërsa polakët votojnë për të zgjedhur Presidentin e tyre të ri, një gjë është e sigurt që një pjesë e madhe prej tyre do të marrin frymë të lehtësuar. Kjo, sepse fushata elektorale e sapombyllur ka qenë ndër më të çuditshmet e organizuar ndonjëherë në Poloni dhe asnjë nga palët e përfshira në të nuk do të ndiejë as keqardhjen më të vogël ta shohë të përfundojë këtë periudhë. Ajo ka qenë një fushatë e çuditshme për shkak të afateve dhe kohës. Në kushtet normale askush nuk do të kishte organizuar një fushatë në prag të pushimeve të verës dhe mbi të gjitha pak javë pas tragjedisë së shkaktuar nga përmbytjet që shkatërruan një pjesë të zonave të vendit. 4 korriku është një ditë votimesh për shkak se Kushtetuta e vendit e do që të jetë një ditë e tillë. Pas vdekjes së Presidentit Lech Kaczynski në një aksident ajror prillin e kaluar, qeveria u detyrua që të organizojë zgjedhjet e parakohshme dhe kjo e diel është dita e duhur. Fushata ka qenë gjithashtu e çuditshme edhe për shkak të pjesëmarrësve të saj, ose më mirë për shkak të një prej pjesëmarrësve. Nëse nuk do të kishte ndodhur tragjedia ajrore, Presidenti i ndjerë do të kishte rikandiduar për një mandat të dytë, por në vend të tij, duke qenë se ai vdiq, është vëllai binjak, Jaroslaw Kaczynski, i cili po kandidon në këmbë të të vëllait. Jarek vendosi për një gjë të tillë për të vazhduar trashëgiminë familjare në një moment të jashtëzakonshëm: pas tragjedisë dhe zisë jo vetëm për vëllain e tij, por për gjithë shtetarët e lartë që ndodheshin në avion. Si rezultat, këto zgjedhje kanë pasur një ndjesi të çuditshme dhe jo normale. Në vend të një fushate normale, kandidatët kundërshtarë i kanë kufizuar shumë sharjet reciproke për njëri-tjetrin dhe konfliktet kapitale janë shmangur. Kjo atmosferë postmortum e vendosi kundërshtarin e Jarek, Bronislaw Komorowski në një pozicion të vështirë. Ai është edhe Presidenti në detyrë dhe anëtar i partisë së djathtë Platforma Civile, partia qeverisëse në Poloni dhe mbi të gjitha ka kryesuar pjesën më të madhe të sondazheve parazgjedhore e megjithatë, toni i fushatës së tij nuk ka qenë aspak toni i një fitimtari. Përkundrazi, gjuha dhe fushata e tij u mishëruan në parullën: “Unë bëj marrëveshje”. Dukshëm ai është përpjekur që të mos shfaqet si një kritik i ashpër i Presidentit të vdekur dhe ka qenë i kujdesshëm kur ka kritikuar vëllain e tij binjak. Ky i fundit, nga ana e tij, ka qenë edhe më i butë. Ajo që nuk doli në këtë fushatë ishte pikërisht popullariteti i pakët që kishte Presidenti i vdekur. Binjaku i tij, kandidati aktual që ishte Kryeministër i Polonisë për një periudhë të shkurtër në vitin 2007 ishte edhe më i papëlqyeshëm. Të dy njiheshin për përdorimin e taktikave ndarëse, për një gjuhë shumë agresive, për dyshimin e tyre të vazhdueshëm ndaj të gjithë të huajve dhe për tonin agresiv të sulmit si ndaj Rusisë ashtu edhe ndaj Gjermanisë. Por që pas asaj që i ndodhi vëllait, binjaku i tij kandidat duket se ka ndryshuar, së paku së jashtmi. Edhe parulla kryesore e fushatës së tij politike ishte shumë e vakët: “Polonia është më e rëndësishmja”. Edhe taktikat e tij janë kufizuar shumë dhe nuk është më i ashpër as me rusët dhe as me gjermanët. I është shmangur shumë shfaqjeve publike të tepruara dhe nuk ka thënë thuajse asgjë të keqe për kundërshtarin. Vota e sotme ka vënë përballë Komorowski-n që ka shumë mbështetje popullore dhe vëllain binjak të Presidentit të ndjerë që ka fituar simpati vetëm falë tragjedisë personale. Dhe ndërkohë, të gjithë e dinë se këto nuk ishin zgjedhje aspak normale ndaj edhe përfundimi mund të mos jetë normal.
#