Howitt, optimist për negociatat mes Maqedonisë e BE-së

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howitt, është optimist se këtë vit Maqedonia do ta marrë rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka qëndruar në Shkup dhe se personalisht është bindur në transparencën e procesit zgjedhor dhe për progresin demokratik në shtet.
"Administrata publike, liria e mediave dhe lufta kundër korrupsionit janë probleme të të gjitha shteteve të cilat aplikojnë për hyrje në Union", ka thënë Howitt trasmetojnë mediat maqedonase.
Megjithatë, kontesti për emrin mbetet problem kryesor për fillimin e negociatave. Howitt ka thënë se do ta përdorë ndikimin e tij politik, por edhe ndikimin privat që të dyja palët, Maqedonia dhe Greqia, të gjejnë kompromis për këtë çështje.
Kur është fjala te mbiemri maqedonas dhe fakti se gjuha maqedonase është njohur nga Kombet të Bashkuara, Howitt nuk preferoi të flas në lidhje me këtë çështje.
"Unë e respektoj marrëveshjen mes OKB-së dhe shtetit tuaj, por në të njëjtën kohë i respektoj edhe vendimet e Komisionit Evropian. Parlamenti Evropian është trup i pavarur dhe ka qasje objektive ndaj punëve. Nëse diçka na pengon, ne si të deleguar gjithsesi do ta themi atë" ka theksuar Howitt.