Hoxha: Angazhim i palëkundur i shoqërisë shqiptare ndaj orientimit evropian

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në kuadër të Forumit Ekonomik të Deflit, mori pjesë në panelin “Nga përgjegjësia në përfitim: Si mund të shndërrohet anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE në një fitore gjeopolitike evropiane”.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se ndër shumë pikat e saj të forta, Shqipëria i sjell Bashkimit Evropian vlera kyçe, shpesh të nënvlerësuara, por me rëndësi strategjike.
“Së pari, parashikueshmëri dhe besueshmëri në qëndrimet e saj, të dëshmuara vazhdimisht përmes harmonizimit të plotë me Politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP), një linjëzim i provuar me veprime konkrete dhe jo vetëm me deklarata.
“Së dyti, një angazhim i palëkundur i të gjithë vendit dhe shoqërisë shqiptare ndaj orientimit evropian, si një zgjedhje strategjike e pakthyeshme dhe si bosht themelor i vizionit tonë kombëtar.
“Së treti, një investim i qëndrueshëm në bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, në stabilitet dhe mirëkuptim të ndërsjellë”, tha Hoxha.
Sipas tij, “Shqipëria ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për ta afruar Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në transformimin e perceptimit për rajonin: nga një hapësirë dikur e identifikuar me ndarje dhe paqëndrueshmëri, në një rajon gjithnjë e më shumë të njohur si pjesë integrale e Evropës Juglindore”.
Hoxha theksoi se në këtë proces, Shqipëria krenohet që udhëheq me shembull dhe vizion.
“Në një kohë kur Bashkimi Evropian duhet të rikonfirmojë rolin e tij në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme dhe të veprojë si një aktor gjeopolitik më i fortë, koherenca dhe besueshmëria nuk janë thjesht elemente teknike, ato janë asete strategjike me vlerë të lartë politike”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/