E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Hoxha: Porta hyrëse në komunitetin europian është arsimi dhe rinia

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Kryetari i Konferencës së Rektorëve, njëkohësisht rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha deklaroi sot se porta hyrëse në komunitetin europian është arsimi dhe rinia.

Në aktivitetin për prezantimin e Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Hoxha tha se synimi kryesor është dhënia e garancisë për atë që vjen në arsimin e lartë dhe për të gjitha sfidat që shoqëria dhe institucionet e arsimit kanë.

Hoxha foli për integrim të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe zhvillim të kërkimit shkencor. Sipas tij, ka një interes shumë të lartë të institucioneve të arsimit të lartë të BE-së, por edhe vendeve përtej, që kërkojnë të bashkëpunojnë me institucionet e arsimit të lartë shqiptar.

“Të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë janë më të mirintegruara në projekte të BE-së, më mirë të integruara në projekte që financohen nga qeveria shqiptare dhe më mirë të perceptuara në ndërkombëtarizimin e programeve në gjuhë të huaj, në programe të përbashkëta studimi me institucione të huaja financiare”, tha Hoxha.

Sipas tij, sot Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) kanë portofol të ndryshëm nga ai që kishin vite më parë.

“Ne jemi përqendruar në veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe në inovacion, duke u munduar të përdorim sa më shumë fonde nga BE. Vitet e shkuara institucionet tona nuk arrinin dot të përthithnin as fondet që shteti jepte sa i përket pjesëmarrjes në programin e BE për të zhvilluar arsimin dhe kulturën dhe që ishte një nga defektet e mëdha që arsimi i lartë kishte, i cili shikonte vetëm nga buxheti i shtetit duke u munduar të mbijetonte me para të vogla”, deklaroi Hoxha.

Sot, theksoi ai, janë tre universitete, ai i Durrësit, një jopublik dhe ai i Tiranës që janë pjesë e tri aleancave të rëndësishme universitare të financuara nga BE.

“Universiteti i Tiranës, sot është pjesë e shtatë universiteteve që kanë fituar një projekt për zhvillimin e programeve të përbashkëta të kërkimit shkencor, sa i përket shkencës së bazuar mbi të dhënat, ku vetë projekti është tetë milionë euro. Kjo dikur dukej shumë e madhe, por që për ne sot futet në normalitetin e financimit të përbashkët”, u shpreh Hoxha.

Hoxha vuri në dukje se sot IAL-të janë në një nivel të ndryshëm nga deri dje dhe konsiderohen edhe nga partnerët.

“Ajo që ne konstatojmë me kënaqësi është që ka një interes shumë të lartë të institucioneve të arsimit të lartë të BE-së, por edhe vendeve përtej, që kërkojnë të bashkëpunojnë me institucionet arsimore të arsimit të lartë shqiptar dhe që kanë bërë të mundur sot që pozicioni i arsimit të lartë në Shqipëri dhe rajon të jetë i ndryshëm nga disa vite më parë”, tha ai.

Sipas tij, dokumenti i prezantuar sot tregon ku duhet të shkohet në pesë vitet e ardhshme.

“Projekton si institucionet duhet të kenë shqetësimin që përveç nxjerrjes së studentëve vetëm me një diplomë, të jenë specialistë në fushat e tyre, të jenë të aftë të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe të vendosin arsimin e lartë në një nivel që t’i përgjigjet të gjitha fushave për të cilat arsimi i lartë ka misionin e vet”, u shpreh Hoxha.

Rektori informoi se i është kushtuar vëmendje modernizimit të programeve mësimore.

“Janë bazamentet, janë objektivat të cilat arsimi i lartë i ka sot, në një nivel më strategjik, më gjithëpërfshirës dhe në një kornizë ku të gjitha institucionet e arsimit të lartë gjejnë emëruesin e përbashkët”, theksoi ai.

Me këtë dokument, vuri në dukje Hoxha, është punuar që në këtë pesëvjeçar arsimi i lartë të ecë i sigurt, i planifikuar dhe të bëhet e mundur që IAL-të të jenë një shtysë e zhvillimeve të shoqërisë shqiptare, teknologjisë, inovacionit dhe sfidave që shoqëria ka.

Sepse, vijoi ai, Shqipëria tashmë është në një rrugë pa kthim drejt BE dhe porta hyrëse në këtë komunitet është arsimi, rinia, garancia që ne duhet të japim për atë që vjen dhe për të gjitha sfidat që shoqëria dhe institucionet e arsimit kanë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›