E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj - Çubukçu, marrëveshje arsimi

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi, ka nënshkruar sot një protokoll bashkëpunimi në fushën e arsimit me Ministrinë e Arsimit Kombëtar të Turqisë, respektivisht me ministren Nimet Çubukçu.

Ministri Hoxhaj po qëndron në Turqi në kuadër të vizitës së një delegacioni qeveritar, të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaqi.

Sipas këtij protokolli të nënshkruar, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Turqisë do të nxisin bashkëpunimin në aspektin e shkëmbimit të ekspertëve, mësimdhënësve, nxënësve, studentëve, po ashtu në shkëmbimin e informatave dhe eksperiencës.

“Të dy institucionet më të larta të arsimit, do të bashkëpunojnë edhe në drejtim të mbështetjes së arsimit në gjuhën turke në Kosovë, rishikimin e teksteve shkollore, njohjen reciproke të diplomave të niveleve primare dhe sekondare të arsimit”, thuhet në një komunikatë shtypi të lëshuar nga MASHT.

Në takimin që ka pasur me ministren Çubukçu, ministri Hoxhaj ka biseduar edhe për themelimin dhe funksionalizimin e Universitetit të Prizrenit. Po ashtu, ai e ka falënderuar ministren Çubukçu për dhënien e bursave për studentë nga Kosova që studiojnë në Turqi dhe ka kërkuar që të mbështeten para së gjithash programe studimi që janë kyç për zhvillimin ekonomisë, si: biznesi, menaxhmenti dhe IT-ja.

Ndërsa, në një takim që ministri Hoxhaj e ka pasur me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Arsimit të Lartë të Turqisë, Yusuf Ziya Ozcan, është biseduar për çështjen e bashkëpunimit të universiteteve në fushën e mësimdhënies, hulumtimit, shkencës dhe mobilitetit akademik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›