E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjetet, trafik i paligjshëm nga Afrika e Jugut

20/05/2010 Kapet një kamion i vjedhur në 2000-in, rasti i tretë brenda pak muajsh. Nisin hetimet

DURRES- Zbulimi një nga një i disa rasteve të vjedhjeve të mjeteve nga Afrika e Jugut dhe shitja e tyre në vendin tonë ka zbuluar kohët e fundit praninë e një rrjeti të këtij trafiku të paligjshëm. Një ditë më parë në rrugën Rinas-Durrës është bllokuar kamioni me targa KR 8350 A. Ky kamion Fiat rezulton të jetë i vjedhur në Afrikën e Jugut më datë 28 shtator 2000. Që prej dhjetë vitesh mjeti i transportit ishte trafikuar në vendin tonë, por vetëm një ditë më parë është bërë e mundur të gjendej.

Rastet

Është rasti i tretë gjatë këtij viti që në Durrës bllokohen mjete të vjedhura në Afrikën e Jugut dhe policia dyshon se ka një rrjet personash që bashkëpunojnë në këtë veprimtari të paligjshme. Janë disa të dyshuar, të cilët pritet të shoqërohen në polici, pasi faktet shkojnë deri në bashkëpunimin e këtyre personave një pjesë e të cilëve janë emigrantë. Në mars dy mjete u bllokuan në Durrës, një autoveturë dhe traktori me goma me targa TV 055069 i vjedhur më datë 24 qershor 2009. Kapja e disa mjeteve të vjedhur pikërisht në kontinentin e largët ka vënë në dyshime policinë e Durrësit se ato trafikohen nga një rrjet i mirëorganizuar. Për këtë arsye kanë nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe itinerarin e këtij trafiku. Shumica e tyre janë të vjedhur në Afrikën e Jugut shumë vite më parë, por vetëm këtë vit efektivët blu kanë nisur seriozisht punën për kapjen e të gjithë automjeteve që janë deklaruar si të grabitur jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye drejtuesit janë detyruar të japin shpjegime se si i kanë siguruar makinat e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›