E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit polici i vrarë

20/05/2010 Miqtë, kolegët dhe të afërmit e Tom Jakinit flasin me superlativa për të

Autori, ish-koleg i viktimës shprehet i penduar. Pritet masa e arrestit

SHKODER- Familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Policisë Shkodër i kanë dhënë lamtumirën e fundit me dhimbje e lot në sy efektivit të postës së policisë së Bushatit, 35-vjeçarin Tom Jakini, baba të tre fëmijëve, të vrarë ditën e martë nga kolegu i tij Ramiz Ademi. Ceremonia mortore, e zhvilluar në orën 14:00 në fshatin e tij Naraç të Vaut të Dejës, u shoqërua me heshtje të plotë nga pjesëmarrësit në këtë ditë të zezë për familjen Jakini. Kolegë dhe të afërm të viktimës Jakini e kanë mbajtur në krahë arkivolin me trupin pa jetë të tij që nga banesa ku lindi dhe u rrit deri në banesën e fundit të tij. Pas ceremonisë mortore, drejtori i policisë së qarkut Shkodër, Vullnet Topalli, duke shprehur ngushëllimet për familjen Jakini, u shpreh se ngjarja dhe dhimbja është aq e madhe sa i ka tronditur të gjithë. Ndërkohë kolegët dhe bashkëfshatarët e viktimës Tom Jakini janë shprehur me superlativa për të. “Ishte një baba, shok, njeri shumë i rrallë. Mjaft i dashur, i afrueshëm, i qeshur, i gjindshëm me të gjithë e për të gjithë. Askujt nuk i shkonte në mendje se dikush mund ta vriste për fjalë. Në momentin e parë menduam se Toma kishte gjetur vdekjen në përleshje me ndonjë kriminel. Dhimbja ishte e madhe, por kur u mësua se kishte qenë kolegu i tij, me të cilin kishte 7 vite që punonte në postën e policisë së Bushatit, të gjithë u tronditën edhe më shumë për këtë lajm. Toma ishte një njeri që nuk vritej as për gjak e jo më për fjalë”, janë shprehur banorët e fshatit Naraç. Ndërkohë autori, ish-efektivi 44-vjeçar Ramiz Ademi ndodhet në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së qarkut Shkodër, në pritje të paraqitjes para trupit gjykues, i cili pritet të japë masën e arrestit ditën e enjte. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, autori Ademi ende në gjendje të rënduar psikologjike, me lot në sy, ka shprehur pendesën për veprën penale që ka konsumuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›