Mijëra qytetarë për Majlindën

Kampionja e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi është pritur nga qindra qytetarë pas kthimit të saj nga Brazili ku u nderuar me titullun kampione e botës.
Ajo ka arritur në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 18 bashkë me trajnerin, Driton Kuka dhe xhudisten Nora Gjakova
“Këtë medalje ia dedikoj shtetit të Kosovës, jo vetëm pse është medalja e parë për Kosovën por që është medalja e artë. Gëzohem që të gjithë shqiptarët po ia dinë shumë vlerën kësaj medaljeje”, ka thënë Kelmendi gjatë konferencës për media.
Ndërkaq Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi ka thënë se kampionja dhe ekipi do të shpërblehen për këtë medalje me 40 mijë euro për Majlindën dhe 20 mijë euro për trajnerin Kuka.
“Jam i nderuar që kam pas mundësi që të bashkëpunoj me ekipin e xhudistëve tanë, që kemi pas mundësi që bashkërisht të gjejmë format dhe mundësitë që të udhëtojnë dhe të paraqiten në, botë të prezantojnë Kosovën dhe flamurin tonë në botë”, ka thënë Krasniqi.
Kelmendi para pak minutash ishte në sheshin "NënëTereza" në Prishtinë ku u pritë nga mijëra qytetarë.
"Më shumë më ka bërë të lumtur gëzimi i qytetarëve të Kosovës për fitoren time sesa vet fitorja” tha kampionja botërore. /Indeksonline/