E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Bisedimet me Serbinë në bazë të Kushtetutës

(E plotësuar) Shefi diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë nga ku ka marrë vlerësime nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti për hapat e hedhur nga Kosova gjatë muajve të fundit.

"Kjo vizitë merr një kuptim të veçantë pasi ndodh në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë", tha Panariti.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë në dhënien e ekspertizë, për sa i përket proceseve integruese të Kosovës veçanërisht procesit të liberalizimit të vizave.

Hoxhaj tha se bisedimet me Serbinë janë duke u zhvilluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një rezolute të miratuar nga Parlamenti.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, po ashtu ka theksuar se si dy shtete të pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë synojnë integrimin në strukturat euroatlantike.

“Ne kemi vetëm një agjendë, ajo është agjenda e rikthimit tonë në Evropë. Në rastin e Shqipërisë ky rikthim ndodh përmes dhënies së statusit kandidat, në rastin e Kosovës ky rikthim ndodh përmes nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asocim”, ka theksuar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka vlerësuar mbështetjen e shtetit shqiptar në fushën e integrimeve evropiane.

“Ne synojmë liberalizimin e vizave ku Shqipëria ka një përvojë shumë të mirë dhe presim mbështetjen e shtetit shqiptar në këtë proces”, tha Hoxhaj, duke falënderuar Panaritin për mbështetjen që po jep Shqipëria në proceset e gjithëmbarshëm integrues të Kosovë në BE por edhe ne mekanizmat e tjerë rajonal e ndërkombëtar.

Hoxhaj ka veçuar po ashtu përkrahjen e madhe që Shqipëria po jep në procesin e sigurimit të njohjeve të reja për Kosovën.

Ndërkaq, temë tjetër e bisedës ndërmjet dy ministrave ka qenë edhe intensifikimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve.

Në këtë aspekt, ministri Hoxhaj ka shprehur zotimin e përbashkët për shkëmbime edhe më të mëdha ekonomike ndërmjet dy shteteve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›