Thaçi rrëfehet të premten para deputetëve

Në mbledhjen e kryesisë të mbajtur ditën e hënë është vendosur që në seancën e së enjtes, përveç deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, të diskutohet edhe projektligji për buxhetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se kryeministri ka për detyrë të raportojë para deputetëve për takimin dhe për detajet e takimit.
“Zotëri Thaçi me rezolutë e ka për të detyrë të bëjë raport dhe çdoherë e adreson si kërkesë kryesisë me fut në rend të ditës dhe nuk është ndonjë ngjarje madhore, është me rëndësi çka ka me na thënë, është me rëndësi çka është marr vesh, nëse është marr vesh diçka edhe normalisht edhe gjërat duhet të bëhen me shkrim. Por gjërat me shkrim nëse ka marrëveshje, ato që i dini ju i dimë edhe ne”, ka theksuar Beqiri.
Por Beqiri kur është pyetur se a duhet të ketë informacion kuvendi para se të zhvillohej takimi, ai ka theksuar se takimet i përcakton dikush tjetër dhe jo Thaçi.
“Kjo po ndodh por takimin e ka për detyrë me na raportuar se çfarë ka folur dhe çka është marr vesh edhe për takimin e radhës sigurisht nuk është as kuvendi që i përcakton takimet as ai vet, por dihet dikush tjetër po ja cakton takimet. Ai duhet të raporton dhe të shohim nga raporti i tij çka është bërë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se çfarëdo raportimi në kuvend nxjerrë edhe diskutim të deputetëve dhe një gjë e tillë pritet edhe të premten, kur të raportojë kryeministri.
“Një gjë është që del mbi tjerat, është dy kryeministrat e dy vendeve po takohen, ajo çfarë do të ndodh më tutje me detajet duhet të presim të shohim. Por duket se një insistim të Brukselit që të paktën marrëveshjet që janë arritur deri më tani të implementohet dhe të shihet se si shkon më tutje. Por nuk kemi detaje, do të shohim çka na raporton kryeministri të premten”, ka deklaruar Gjini.
Por Gjini e sheh të nevojshme që para takimit dhe detajet e takimit të njoftohet kuvendi.
“Mendoj që do të kishte qenë në rregull të dihen datat paraprakisht të njoftohet kuvendi paraprakisht. Mirëpo, deri më tani gjithçka është varur prej zyrës së Baroneshës Ashton, por duhet të shohim me tutje si ndodh. Me siguri se kuvendi duhet të jetë i informuar edhe në bazë të rezolutës edhe në bazë të kushtetutës, të gjithë ajo që ndodh për Kosovën dhe rreth Kosovës”, ka theksuar ai.
Gjatë të premtes do të jetë në rend të ditës edhe projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, projektligj ky që është kritikuar edhe njëherë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.