E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi informoi Presidenten Jahjaga për takimin me Daçiqin

Presidentja Atifete Jahjaga priti sot në një takim pune Kryeministrin Hashim Thaçi, të shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Kryeministri Thaçi e informoi Presidenten Jahjaga për rrjedhën e takimit të dytë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë që u mbajt në Bruksel me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, baroneshës Catherine Ashton.

"Kryeministri theksoi se që në fillim të takimit ka ngritur çështjen e personave të pagjetur duke shprehur përkushtimin se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është një nga prioritetet e secilës pjesë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, është kërkuar tërheqja dhe shpërbërja e strukturave ilegale të Serbisë që veprojnë në një pjesë të territorit të shtetit të Kosovës. Kryeministri Thaçi theksoi se është biseduar dhe se është rënë dakord për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe së shpejti do të fillohet me implementimin e kësaj marrëveshjeje në katër vendkalime kufitare, gjithashtu është biseduar për mbrojtjen e monumenteve kulturore, historike, fetare që do të bëhet nën përkujdesjen e Policisë multietnike të Kosovës, për autostradën që e lidh Kosovën me Korridorin evropian 10, si dhe është biseduar për hapjen e Zyrave ndërlidhëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", thuhet një njoftim te Zyrës se Presidentes.

Gjithashtu është biseduar që financimi nga Republika e Serbisë i paraparë edhe me Planin e Ahtisarit për institucionet e trashëgimisë, të kulturës, fetare, shëndetësore, arsimore etj., të bëhet në mënyrë transparente.

"Presidentja Jahjaga i dha mbështetje të plotë procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke theksuar që kjo do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe do të përshpejtojë rrugën e integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi biseduan dhe bashkërenduan veprimet për festimin e njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë, për vizitat e zyrtarëve të shtetit të Kosovës jashtë vendit dhe për pjesëmarrjen në konferencat ndërkombëtare, si dhe disa çështje të funksionimit demokratik institucional në vend", thuhet me tej ne njoftim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›