Hoxhaj: Dialogu me Serbinë, pothuajse i pamundur
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Prishtina do të gjykojë Presidentin e ri të Serbisë në bazë të veprave të tij dhe jo fjalëve.
Në një deklaratë për javoren “European Voice”, Hoxhaj ka hedhur poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës dhe i ka bërë thirrje BE-së që të porosisë Serbinë për tërheqjen e “forcave policore dhe të sigurisë” nga veriu i Kosovës.
Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se është gati e pamundur të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, derisa të mos zbatohen marrëveshjet kyçe.
“Serbia ka nënshkruar disa marrëveshje muajt e kaluar, për të fituar pikë te Bashkimi Europian”, ka thënë Hoxhaj, duke aluduar në vendimin e ministrave të BE-së për t`i dhënë shtetit serb kandidaturën evropiane.
“Por, pa zbatimin e atyre marrëveshjeve, nuk besoj se do të vijë deri te raundi i ri i bisedimeve në Bruksel”, është shprehur Hoxhaj.
Ai i ka bërë thirrje BE-së të zhvillojë një “sistem të përshtatshëm” që do të monitoronte marrëveshjet dhe zbatimin e tyre.
Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar.
Në nëntë raunde diskutimesh nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian janë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.