E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Dialogu me Serbinë s'i pengon njohjet

Nga Express më 15 mars 2011 në ora 14:36

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, thotë se dialogu me Serbinë nuk do ta pengoj procesin e njohjeve.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Hoxhaj thotë se ky dialog mund të përdoret si mekanizëm për forcimin e pozitës karshi BE-së dhe të ndikojë te pesë vendet e saj që ta njohin Kosovën....

Nëse institucionet e kosovës kanë një politikë të fuqishme dhe aktive, atëherë dialogu mund të përdoret si instrument për forcimin e pozitës së Kosovës karshi Bashkim Evropian, vlerëson shefi i diplomacisë kosovare.

Hoxhaj madje pret që dialogu të ndikojë pozitivisht për njohjen e Kosovës edhe nga pesëshja e Bashkimit Evropian që ende nuk po e bën një gjë të tillë.

“Mendoj që BE, KE, Zyra e baroneshës Ashton, edhe ne si Kosovë, mund dhe do të duhej ta përdorim dialogun si mundësi që këto shtete të binden, të influencohen dhe ta njohin Republikën e Kosovës”, tha ai.

E për sa i takon shfrytëzimit të dialogut nga diplomacia serbe për pengimin e procesit të njohjeve, ashtu siç kishte bërë me rastin e miratimit të Rezolutës në OKB pas GJND-së, ministri Hoxhaj nuk fsheh kërcënimin që Serbia paraqet për Kosovën, por thotë se ajo do të dështoj në përpjekjet e saj.

“Kuptohet që Serbia ka pas një politikë, fillimisht armiqësore ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë shekullit XX, dhe tash, paraqet edhe më tutje një kërcënim për shtetin e ri të Republikës së Kosovës, bënë përpjekje që ta sfidon. Por jam shumë i sigurt që në këtë rrugë nuk ka kush që e ndal këtë shtet të ri”.

Ministri Hoxhaj nuk dëshiron të prognozojë se sa do të jetë numri i njohjeve dhe se a është reale premtimi i presidentit që deri në fund të vitit ku numër të arrijë në 100.

Ai thotë se do të ketë koordinim të punës me presidentin si dhe po bënë përpjekje që në këtë proces të përfshijë të gjithë njerëzit që mund të japin kontribut.

Ministri Hoxhaj tha se nga fundi i muajit do të mbahet edhe konferenca e parë e ambasadorëve, ku do të analizohet puna e deritashme dhe do të koordinohen hapat për të ardhmen.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›