E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Propozimi i ICG-së, i papranueshëm

Nga Express më 15 mars 2011 në ora 14:55

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se çdo propozim që shkon në dëm të tërësisë territoriale të Kosovës do të jetë e papranueshëm.

Këto komente Krasniqi i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, i pyetur rreth propozimit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) për status special për veriun e Kosovës.

Krasniqi ka theksuar se Kosova ka bërë mjaft kompromise të dhimbshme deri më tani dhe se oferta e saj për serbët që jetojnë në Kosovë ka qenë oferta më e madhe e mundshme deri më tani.

“Institucionet e Kosovës, populli i Kosovës dhe politika në Kosovës, ka vënë një kompromis të dhimbshëm me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisarit dhe konsiderojmë që oferta që i është bërë komunitetit serb në Kosovë me dokumentin e Ahtisarit dhe me Kushtetutën e tanishme të Republikës së Kosovës, është oferta më e madhe e mundshme. Çdo gjë tjetër që shkon në dëmtimin e tërësisë territoriale të Kosovës, dhe çdo gjë tjetër që ndryshon rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës të paraparë me Kushtetutë, për politikën në Kosovë dhe institucionet e Kosovës është dhe do të jetë e papranueshme”, është shprehur Krasniqi, transmeton KosovaPress.

Ai ka përjashtuar mundësinë për devijim të dialogut Prishtinë-Beograd dhe për mundësinë që të ketë një propozim për rishikimin e kufijve.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka nxjerrë një raport me titullin “Veriu i Kosovës: Sovraniteti i dyfishtë në praktikë”, në të cilin thuhet se deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare politike, palët duhet të kërkojnë zgjidhje të përkohshme për përmirësimin e sundimit të ligjit, grumbullimin e të hyrave doganore dhe ndihmën financiare për veriun.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›