E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin u shpall qytetar nderi i "Kosovës e Metohisë"

Nga Express më 15 mars 2011 në ora 15:42

Përfaqësuesit e një grupi përfaqësuesish të serbëve në veri të Kosovës, që veten e quajnë Bashkësi e Komunave Serbe në Kosovë, në një seancën solemne të mbajtur në Zubin Potok, me aklamacion e kanë shpallur qytetar nderi të Kosovës, kryeministrin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Siç theksohet në tekstin e kartës, kryeministri Putin është shpallur qytetar nderi i Kosovës, për shkak të angazhimit të tij të fuqishëm “në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Serbisë” .

Kryetari i këtij kuvendi, Radovan Niçiq, ka deklaruar se Vladimir Putin po angazhohet dhe kujdeset për integritetin territorial të Serbisë, më shumë se që e bën këtë Beogradi.

Dekorata për Vladimir Putinin i është dorëzuar shefit të Zyrës së Federatës Ruse në Prishtinë, Andrej Shugurov.

Ky i fundit, duke iu drejtuar të përfaqësuesve të së ashtuquajturës Bashkësi e Komunave Serbe në Kosovë ka deklaruar se Rusia ka qenë dhe do të jetë mike e Serbisë...

“Kemi qenë me ju edhe atëherë kur NATO, më 24 mars të vitit 1999, filloi të bombardojë Serbinë, ndërkaq që ajo goditje nuk ka qenë e nxitur me asgjë”, tha Shugurov, duke shtuar se nuk është e rastësishme pse Putini do të shkojë në Beograd pikërisht me datën 23 mars.

Ndërkohë, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se vendimi për këtë që ka ndodhur në Zubin Potok është “një hap patetik”.

“Liderët e serbëve të Kosovës në veri, ende jetojnë në ëndrra. Ata mund ta shpallin si të duan, por ai, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë qytetar nderi i Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Ministri Rexhepi, ka thënë po ashtu se ky veprim i serbëve te veriut është vetëm një çështje emocionale.

“Ata janë një komunë që e kanë një legjitimitet prej UNMIK-ut, që ju është vazhduar në atë kuptim. Edhe unë nuk mendoj që ky është rast që ia vlen të bisedohet. Kjo nuk ka vlerë për ne, është çështje emocionale e tyre dhe kaq”, deklaroi Rexhepi

Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë ishte shpallur e paligjshme nga ana e autoriteteve ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës.

Përfaqësuesit e tyre njihen për zbatimin e vijave më ekstreme të politikës serbe në Kosovë. (rel)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›