Edhe Dokufest distancohet nga KPJ
Një organizatë tjetër joqeveritare – Dokufest distancohet nga Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ), pse emri i saj është përmendur në mesin e organizatave që do të zbatonin një “plan veprimi”, që për synim final kishin rrëzimin e institucioneve shtetërore nëpërmes demonstratave në rrugë.
Me anë të një komunikate për shtyp, kjo Dokufest ka sqaruar opinionin publik se “nuk e ka mbështetur propozim Planin e Veprimit për fushatën e shoqërisë civile për integritet të institucioneve shtetërore, si dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë takimi apo përpilues i draft-planit me qëllim të organizimit të protestave të shoqërisë civile në Kosovë”.
“Dokufest është organizatë joqeveritare e cila udhëhiqet nga misioni i saj, i cili është ngritja e imazhit kulturor të Kosovës në nivelin ndërkombëtar, i cili mision qartë i përcakton objektivat e organizatës”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Aliriza Arënliu, drejtor Ekzekutiv i Dokufest-it.