Pajtohen Hashim e Menduh Thaçi!

Dy eksponentët e politikës shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni, që mbajnë të njëjtin mbiemër - Hashim Thaçi e Menduh Thaçi, kanë tejkaluar mospajtimet disavjeçare.
Me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha ata janë pajtuar, raporton portali Zhurnal, duke u mbështetur në burime të paemëruara.
Mospajtimet midis dy Thaçëve u përshkallëzuan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur PDSH-ja e Menduh Thaçit ishte në pushtet në Maqedoni. Atëbotë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës jepte deklarata se Shkupi zyrtar së shpejti do të njohë Kosovë, por kreu i PDSH-së, që ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Nikola Gruevski, thoshte se Kosova do të njihet nga Maqedonia kur të thotë kjo parti.
Ata kanë filluar miqësinë qysh në vitin 1999, kur PDSH-ja ishte në pushtet në Maqedoni dhe Hashim Thaçi gjente përkrahje të vazhdueshme nga kjo parti, si në logjistikë të luftës së UÇK-së, ashtu edhe gjatë ardhjes së tij nga bisedimet në Rambouillet.
Por, në vitin 2005 ishin prishur raportet PDSH-PDK për shkaqe ende të panjohura për publikun. Madje, as ish-kreu i PDSH-së, Arbën Xhaferi nuk arriti të pajtojë Thaçët.
Ndërkohë, pas rikthimit të Ali Ahmetit në pushtet në Maqedoni, në vitin 2006, Hashim Thaçi krijon raporte të mira, edhe pse kishin pasur ndasi qysh nga lufta në Kosovë.
Ditë më parë, Menduh Thaçi ka deklaruar për një televizion lokal se marrëdhëniet e tij me kryeministrin Hashim Thaçi janë përmirësuar.