Hoxhaj: Egjipti dhe 12 shtete të Ligës Arabe, do njohin Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës në Egjipt, ka marrë premtime nga liderët politikë se Kajro shumë shpejt do ta njohë shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës. Ministri Hoxhaj po ashtu ka marrë mbështetje të fuqishme nga përfaqësues të lartë të Organizatës së Ligës Arabe, ku nga 22 shtete anëtare, vetëm 10 kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil Al Arabi, ministri Hoxhaj është siguruar se 12 shtetet anëtarë të kësaj organizata që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ministri Hoxhaj në këtë takim ka kërkuar nga Al Arabi që të ushtrojë ndikimin e tij tek shtetet anëtare të Ligës Arabe që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Sekretari i Ligës Arabe, ka thënë se Egjipti dhe shtetet e tjera anëtarë të Ligës Arabe nuk kanë më kurrfarë arsyeje të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
“Ne kemi simpati për popullin dhe pavarësinë e Kosovës. Ne do t`ju mbështesim dhe do të kërkojmë nga shtetet anëtare të Ligës Arabe që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Unë nesër do t`i takoj të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme të 22 shteteve anëtare, do t`i njoftoj me takimin që patëm dhe do ta shtroj kërkesën tuaj për njohje”, ka thënë Al Arabi.
Në një konferencë për median, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Al Arabi për mbështetjen që Egjipti dhe Organizata e Ligës Arabe i ka dhënë Republikës së Kosovës në vitet e shkuara. Ai ka përshëndetur ndryshimet demokratike në Egjipt, duke thënë se populli i Kosovës gjithmonë ka qenë përkrah popullit të Egjiptit në kauzën e tij për liri, dinjitet dhe demokraci. Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj ka theksuar se njohja nga ana e Egjiptit nuk është vetëm numër, por është një përmbyllje e miqësisë historike.