U arratis nga kati i tretë i komisariatit, kapet brenda selisë së PS

Policia e kryeqytetit ka reaguar lidhur me ndalimin e një personi i shpallur në kërkim, pas arratisë së ditës së djeshme duke u hedhur nga kati i tretë i komisariatit.
Ditën e sotme rreth orës 15.00, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ka mbërritur një telefonatë nga një qytetar, i cili tregon se pranë Selisë së Partisë Socialiste, ndodhej një person në gjendje të dehur, shkruan noa.
Menjëherë strukturat e policisë mbërritën pranë selisë, ku pas verifikimit, rezultoi se personi në fjalë ishte 28 vjeçari Orges Mangarit Milo, i cili u largua mbrëmë nga komisariati i policisë, përgjatë momenteve të deklarimeve pasi ishte person i ndaluar për veprën penale të vjedhjes së një makine.
Sakaq nga ana e selisë rozë në një qëndrim zyrtar lidhur me këtë rast u tha se Milo, kishte hyrë në hollin e PS dhe ishte shtrirë brenda saj, çka bëri që punonjësit që ndodheshin në godinë të lajmërojnë forcat e rendit.
Falë këtij bashkëpunimi policia e kryeqytetit ka shprehur falënderime për punonjësin e PS që lajmëroi uniformat blu, duke bërë të mundur arrestimin e 28 vjeçarit./Indeksonline/