Hoxhaj: Kosova të bëhet pjesë e Kartës së Adriatikut

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në takimin e Iniciativës për Siguri dhe Paqe në Ballkan, që është organizuar në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Shefi i diplomacisë kosovare ka theksuar se Kosova ndan me të gjitha shtetet e rajonit vlerat e përbashkëta euroatlantike, siç janë demokracia, paqja, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik.
“Ne si shteti më i ri në rajon dhe Evropë kemi këto vlera të përbashkëta dhe jemi faktor paqeje në rajon. Jemi të angazhuar që të bëhemi pjesë e Kartës së Adriatiku, që të përfitojmë nga eksperienca e shteteve të sapo anëtarësuara në NATO dhe vendeve aspiruese”, ka thënë ai.
Duke folur për FSK-në, Hoxhaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar në ndërtimin e institucioneve të sigurisë me standarde të NATO-së si dhe në profesionalizimin e FSK-së. Më pastaj Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e shteteve anëtare të NATO-s për pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe.