Stefanoviç: Veriu i Kosovës, vë në pikëpyetje dialogun

Komisioni Evropian pret që deri më 12 tetor, ditë kur publikon mendimin për progresin e Serbisë, Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshjen për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës në forumet rajonale. Sipas shefit të ekipit negociator serb Borislav Stefanoviç, dita e vazhdimit ë bisedimeve më 28 shtator, kur ishte planifikuar të flitej për tri tema; telekomunikacion, energjinë dhe forumet rajonale është në pikëpyetje të madhe.
“Është vështirë të zhvillohet dialog për çfarëdo çështje, përderisa të mos zgjidhet kriza në vendkalimet kufitare. Jam në lidhje të përhershme me ndërmjetësin e BE-së Robert Cooper dhe po përpiqemi të hartojmë formatin e bisedimeve për vendkalimet, por ende nuk ka përgjigje të drejtpërdrejtë nga Brukseli”, është shrpehur Stefanoviç.
Ai konsideron se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë po luan në letrën e lodhjes së serbëve të Kosovës duke i provokuara ata që të shkaktojnë ndonjë incident. Lidhur me vulat doganore ai ka thënë se Beogradi do të kërkojë miratimin e “modelit asimetrik”, të përfaqësimit i cili në asnjë mënyrë nuk do të dëshmonte se bëhet fjalë për shtet të pavarur.
Stefanoviç deklaron se njëra nga zgjidhjet e mundshme, është që UNMIK-Kosovo të zëvendësohet me formulimin “Kosovo-sipas Rezolutës të KS të KB-së 1244”. Diçka e ngjashme, ka thënë ai, ekziston me rastin e Maqedonisë ku kontesti me Greqinë, e cila nuk e njeh, është tejkaluar me ndajshtimin ”ish-Republika Jugosllave”. Stefanoviç ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës marrin pjesë në 98 për qind të takimeve rajonale dhe se Beogradi nuk e ka problem që të dëgjohet zëri i Prishtinës.