E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Kosovën e kanë njohur 101 shtete

PRISHTINE - Numri i njohjeve për Kosovën ka arritur në 101, tha sot ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, ai ka raportuar lidhur me politikën e jashtme të Kosovës dhe angazhimet e ministrisë, të cilën e udhëheq.

Ministri Hoxhaj ka prezantuar prioritetet Ministrisë së Punëve të Jashtme, si, fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, axhendën integruese evropiane , si dhe axhendën euroatlantike të Kosovës.

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës bën të ditur se, Hoxhaj ka theksuar se gjashtë muajve të shkuar ka vizituar shumë vende dhe ka pasur kontakte me përfaqësues të rreth 30 vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovë, duke veçuar me këtë rast vizitën në Vatikan dhe takimin me ministrin e jashtëm të këtij vendi, si dhe takimet me përfaqësuesit e Greqisë, të Sllovakisë e të Rumanisë, duke i quajtur qëndrimet e shtetarëve të këtyre vendeve më liberal dhe miqësor ndaj Kosovës se sa opinionet publike të atyre vendeve për realitetin e vendit tonë.

Ai pastaj ka pohuar se numri i njohjeve për Kosovën ka arritur në 101, e duke theksuar edhe një herë se Mali nuk na ka njohur, sikurse nuk na ka njohur as Nigeria dhe Uganda (siç kishte pohuar më parë zv.kryeministri Pacolli). Hoxhaj e ka quajtur sukses anëtarësimin e Kosovës në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, si dhe anëtarësimin në 16 organizata rajonale.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›