E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Marrëveshja për fusnotën, me rëndësi jetike

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, duke komentuar zhvillimet e fundit rreth përfaqësimit të Kosovës në iniciativat rajonale me fusnotën 1244, ka thënë se të gjitha dokumentet zyrtare të hartuara deri tani sa i përket Kosovës kanë pasur referencë Rezolutën 1244.
 

Këto komente Hoxhaj i ka bërë pas një takimi me Raportuesen e Parlamentit Evropian për çështjen e vizave, Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein, të cilët i informoi në mënyrë të hollësishme për progresin që ka arritur Kosova në konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe të jashtme, në numrin e njohjeve që kemi marrë dhe në rrugën e pandalshme të forcimit të shtetit të Kosovës.
“Mendoj se ajo çka po ndodh sot në Bruksel është se si ky përfaqësim i Kosovës të jetë më i avancuar dhe si të balancohet me një referencë që ka të bëjë me realitetin faktik në Kosovë, me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe me opinionin e GJND-së. Mirëpo çdo interpretim tjetër mendoj se është interpretim, i cili nuk përkon me realitetin”, ka sqaruar Hoxhaj, duke shtuar se “nëse sot arrihet një marrëveshje në Bruksel, ajo çka do të ndodhë me Kosovën është një ndryshim kualitativ pozitiv”.
 

Në anën tjetër, raportuesja e Parlamentit Evropian për çështjen e vizave, Fajon tha se sot është një moment shumë jetik për Kosovën dhe për të ardhmen e saj në shtegun e vet drejt integrimit evropian. Ajo tha se nuk është mirë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të jetojnë brenda këtyre dyerve të mbyllura në Ballkanit Perëndimor. Ndaj, siç tha ajo, është shumë e lumtur që Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur që ta nisin dialogun me Kosovën dhe në javët që do të vinë do të presim udhërrëfyesin për Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›