Hoxhaj: Përfundimi i dialogut - traktat paqeje dhe anëtarësim në OKB

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për të përditshmen e Malit të Zi “Dnvne Novine” ka thënë se në muajt e ardhshëm, anëtarësimi i Kosovës në organizmat rajonale dhe globale, duke përfshirë edhe OKB-në do të jetë temë në mes të dy kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë.
“Nuk mund të ketë normalizim të plotë mes të Kosovës dhe Serbisë nëse Beogradi, në çfarëdo mënyre e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe në OKB”, ka shtuar Hoxhaj.
Sipas tij, vetëm një normalizim i raporteve Kosovë-Serbi krijon një predispozitë të qëndrueshme për integrimin evropiane të Ballkanit Perëndimor.
“Shikuar nga kjo perspektivë, dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me një traktat paqeje dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka theksuar Hoxhaj.
Duke folur për strukturat paralele në tri komunat e veriut të Kosovës, kryediplomati kosovarë ka thënë se është e qartë se Serbia ka shpenzuar kot miliarda euro në Kosovë në mbajtjen e një iluzioni politik serb në Beograd.
“Sa të ndërhyjë Serbia në veri të Kosovës, mund të ketë gjithçka, pos normalizim të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka paralajmëruar ai.
Ministri Hoxhaj ka fol edhe për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas tij, marrdëniet e mira mes dy shteteve është një demonstrim praktik i principit të fqinjësisë së mirë.
“Për ne Republika e Malit të Zi është partner strategjik dhe se relacionet tona janë të shkëlqyeshme në të gjitha fushat. Lidhur me hapjen e të Ambasadës të Republikës së Kosovës në Podgoricë dhe e asaj malazeze në Prishtinë është vetëm çështje kohë dhe teknike”, ka thënë Hoxhaj./Indeksonline/