Jacobson: Platforma pengon dialogun

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Jacobson konsideron se platforma e Serbisë për Kosovën është pengesë për dialogun në mes Prishtinës e Beogradit.
Ajo në intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se është shumë e rëndësishme që kryeministri Hashim Thaçi merr këshilla dhe ide edhe nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, me të cilët rregullisht konsultohet rreth bisedimeve me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.
“Qeveria ime është plotësisht e fokusuar në dialogun i cili nën ombrellën e BE-së po zhvillohet në Bruksel. Edhe qeveria kosovare është përqendruar në të. Jemi dëshmitar të disa rezultateve të mira të cilat kanë dal nga ky dialog gjatë këtij viti, ndërsa shpresojmë që ato t’i kemi edhe gjatë vitit të ardhshëm në disa çështje të rëndësishme. Çfarëdo iniciative tjetër, sikur që është platforma, është pengesë”, ka thënë ambasadorja.
Ajo ka theksuar se shpreson që dialogu do të sjell deri te normalizimi i raporteve në mes Serbisë e Kosovës, që do të ishte mirë për të gjithë, jo vetëm për pjesëtarët e komuniteteve pakicë, por për të gjithë qytetarët e këtij vendi.
“Konsideroi se dialogu po shkon drejt zgjidhjes së ardhshme që do të sjellë deri te stabiliteti i vendit, deri te investimet e huaja për një zhvillim ekonomik, do të sjellë deri te ndryshimet pozitive në jetën e njerëzve të thjeshtë, të cilët në njëfarë mënyre janë peng të kësaj situate që kemi”.
Diplomatja amerikane thotë se është arritur edhe përparim në sundimin e ligjit në Kosovë dhe se SHBA-të janë shumë krenar me rolin që kanë pasur në këtë progres.
Jacobson është shprehur krenare edhe me partneritetin afatgjatë me Kosovën dhe raportet e mira me pakicat në Kosovë.
“Planifikojmë të vazhdojmë me këtë bashkëpunim. Ndonëse, ende nuk e kemi buxhetin për vitin 2013, nuk pres të kemi ulje serioze të mjeteve, sepse përkushtimi ynë për Kosovën është rezultat i koncenzusit të Kongresit dhe Administratës”, ka thënë Jacobson./ Indeksonline/