E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Po presim që ambasadori Peci të lëvizë drejt Beogradit

Shumë shpejt do të ketë zyrtarë dhe zyrë ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Sipas tij, nga takimet e grupeve të ekspertëve janë sqaruar një pjesë e madhe e çështjeve teknike për funksionimin e zyrave.

“Ne e kemi emëruar ambasadorin Peci që ndodhet ne Suedi dhe presim që sa më shpejt të lëvizë nga Stokholmi në Beograd, dhe atje të dërgojë një kulturë nordike të të vepruarit dhe dinamikë racionale për të cilën ka nevojë edhe Beogradi, edhe Prishtina”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa gjatë ditës mediat nga Beogradi kanë raportuar se çështja e zyrave ndërlidhëse, për të cilat është arritur marrëveshja në dhjetor të vitit të kaluar, nuk dihet nëse do të funksionojnë përfundimisht. Dejan Paviqeveiq, i emëruar si oficer ndërlidhës i Serbisë, njëherësh edhe udhëheqës i dialogut teknik, ka thënë se kanë mbetur edhe disa çështje teknike të pazgjidhura për zyrat ndërlidhëse.

----

Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide ka udhëtuar direkt prej Beogradit në Prishtinë. Kjo shënon vizitën e parë të një zyrtari direkt prej Beogradit në Prishtinë pa e shfrytëzuar hapësirën ajrore të ndonjë shteti tjetër.

Këtë e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj në facebook. “Të nderuar miq, sot kam pritur në vizitë ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, i cili viziton Kosovën vetëm pak ditë pasi arritëm marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasi Komisioni Europian rekomandojë fillimin e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por, ardhja e tij në Kosovë shënon edhe një periudhë tjetër të rëndësishme. Ministri norvegjez, Eide ka fluturuar direkt nga Serbia në Kosovë, gjë që deri më sot ka qenë e pamundur, për shkak bllokadës disavjeçare që ka bërë Serbia. E.Hoxhaj”, ka shkruar ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›