KQZ miraton kërkesën e LSI për të pasur anëtarë në KZAZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me katër anëtarë ka miratuar kërkesën e paraqitur nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të pasur anëtar në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.
Pas kalimit të LSI në opozitë, e drejta për të pasur anëtar në KZAZ i humbet Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe i kalon LSI-së, që në fakt e kishte privilegj edhe kur ishte në pushtet.
Sipas Kodit Zgjedhor, KZAZ-të përbëhen nga dy anëtarë të propozuar nga shumica, dy anëtarë të propozuar nga opozita dhe në gjysmën e tyre një anëtar propozohet nga shumica dhe në gjysmën tjetër një anëtar propozohet nga opozita.
Një ditë më parë, po me 4 vota pro, KQZ miratoi kërkesën e PR për pasur anëtarë në KZAZ, si forca e dytë e maxhorancës pas largimit të LSI.
Përfaqësuesit e PS dhe LSI në KQZ kanë njohur të drejtën e republikaneve për balancim të komisioneve të nivelit të dytë, por kanë kërkuar që bashkë me këtë kërkese te shqyrtohej edhe përfaqësimi i opozitës.
KQZ ndërkaq ka rrëzuar kërkesën për miratimin e komitetit nismëtar për kandidimin e Sazan Gurit si deputet i pavarur./Indeksonline/