SHBA: I dyshuari për sulmet me bomba është akuzuar

Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar të dyshuarin për sulmet me bomba në maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev, por padia kundër tij është e mbyllur.
Zyrtarët gjyqësorë thanë se 19 vjeçari Tsarnaev është akuzuar në spital.
Dzhokhar Tsarnaev dhe vëllai i tij Tamerlan, të dy çeçenë etnikë, janë akuzuar për kryerjen e dy sulmeve me bomba para një jave në Boston, me ç’rast janë vrarë tre vetë dhe plagosur 176 të tjerë.
Tamerlan është vrarë në të shtënat me policinë ditën e enjte, transmeton Rel.
Dzhokhar është zënë nga policia pas një kërkimi masiv dhe është dërguar në spital për plagët e marra nga shkëmbimi i të shtënave me policinë.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar sot se ai nuk do të trajtohet si “luftëtar armiqësor”, por procesi kundër tij do të mbahet në një gjykatë federale.
Në Boston dhe në qytetet e tjera të shtetit amerikan Masaçusets mbahet një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të sulmeve me bomba para një jave./Indeksonline/