Hoxhaj: Serbia njeh pavarësinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në një intervistë për të përditshmen franceze “La Croix” ka thënë se marrëveshja në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një hap vendimtar drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, si shtete të pavarura dhe sovrane.
“Me këtë marrëveshje, Serbia po njeh realitetin e një Kosove të pavarur, integritetin territorial të saj, Kushtetutën dhe ligjet e saj”, ka theksuar Hoxhaj.
Sipas tij, Serbia e ka pranuar tashmë sovranitetin e Kosovës, prandaj pesë shtetet të BE-së, nuk kanë asnjë arsye politike apo ligjore për të shtyrë njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur.
Ministri Hoxhaj ka thënë se disa prej shteteve tjera të botës të cilat janë ende në mëdyshje për shkak të marrëdhënieve të tyre me Serbinë duhet të marrin qëndrimin për të njohur Kosovën.
Duke folur për zbatimin e kësaj marrëveshje edhe në praktikë, Hoxhaj ka theksuar se zbatimi i saj është vendimtare për shkak se ajo është në interes të sigurisë dhe prosperitetit të rajonit.
“Bashkimi Evropian, i cili ishte lehtësues në këtë dialog, është garantues i kësaj marrëveshje. Ne gjithashtu kemi mbështetjen e NATO-s, e pranishme në veri, dhe institucioneve evropiane, të pranishme me EULEX-in. Marrëveshja është shumë precize në lidhje me çfarë duhet bërë në muajt e ardhshëm. Ky do jetë është një hap i rëndësishëm në riintegrimin e veriut të Kosovës”, ka thënë ai./Indeksonline/