E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Serbia s`ka vullnet për implementimin e marrëveshjeve

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënkupton që Serbia ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur, që Serbia ta shohë Kosovën si partnere, si shtet fqinj, ku të dy shtetet si pike të përbashkët do te kenë integrimin në BE.
 

Hoxhaj, në një intervistë për “EurActiv.de”, ka thënë se kjo do ta përfundonte njëherë e përgjithmonë konfliktin historik, ndërsa pa këto parakushte nuk mund të flitet për normalizimin e marrëdhënieve.
 

“Nga viti 2011 deri në vitin 2012 në Bruksel janë zhvilluar nëntë raunde të dialogut teknik mes Kosovës e Serbisë. Dialogu është përkrahur dhe lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Hoxhaj.
 

“Në këto nëntë raunde janë arritur shtatë marrëveshje. Këto marrëveshje kanë pasur për qëllim përmirësimin e jetëve të qytetarëve të dy shteteve. Disa nga këto marrëveshje janë jetësuar, derisa pjesa tjetër jo. Qeveria e Serbisë asnjëherë nuk ka pasur qëllimin dhe vullnetin për t`i implementuar ato. Natyrisht, jemi të interesuar ta vazhdojmë dialogun, por nuk do të ketë takime të radhës në Bruksel pa i implementuar Serbia të gjitha marrëveshjet”, u shpreh Hoxhaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›