Hoxhaj: Synojmë OKB’në

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar të shtunën në New York Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
Sipas një njoftimi të MPJ’së, Hoxhaj ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për shtetndërtimin e suksesshëm të Kosovës.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për progresin e Kosovës në vitet e fundit.
“Unë mbështes zhvillimet pozitive në Kosovë”, ka thënë Ban Ki-Moon. Ministri Hoxhaj, sipas njoftimit, po ashtu ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për zgjedhjet e fundit dhe krijimin e një qeverie shumetnike dhe profesionale.
“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe dhe stabilitet në rajon. Në tri vitet e fundit, Republika e Kosovës ka implementuar pakon e Presidentit Ahtisari, i cili ka qenë i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka ngritur edhe çështjen e veriut të Kosovës. “Atje ka nevojë për sundim të ligjit dhe shpërbërjen e menjëhershme të strukturave paralele të Serbisë. Institucionet paralele të Serbisë që vazhdojnë aktivitetet e tyre në disa pjesë të Kosovës janë ilegale edhe sipas vendimeve të vetë Këshillit të Sigurimit”, thuhet në kumtesë.
MPJ’ja ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për mundësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në institucione politike, financiare, kulturore dhe sportive ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, për sfidat që ka në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe për rrugën që po bën në procesin e integrimeve evropiane.
Ministri Hoxhaj ka potencuar synimet e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Prezantohet zyrtarisht
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është prezantuar në kapacitet zyrtar si “Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës” në uebfaqen zyrtare të Këshillit të Sigurimit.
Në të kaluarën, kjo faqe, përfaqësuesit e mëhershëm kosovar në KS të OKB’së i ka prezantuar vetëm me emër, pa treguar kapacitetin e tyre zyrtar.
Duket se prezantimi i Enver Hoxhajt si “Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës” është thjesht një gabim i administratorëve të faqes zyrtare të OKB’së.
Siç dihet, adresimet e përfaqësuesve të Kosovës në KS të OKB’së bëhen në kapacitet privat për shkak se dy shtete anëtare të OKB’së me të drejtë vetoje kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.
Prania e Ministrit Hoxhaj në seancën e fundit të KS të OKB’së ka nxitur reagimin e ambasadorit rus në OKB, Vitaly Churkin, i cili i ka bërë vërejtje Sekretariatit të OKB’së për shkak të shpërndarjes së fjalimit të ministrit kosovar.
“Shpresoj që të mos përsëritet më kjo”, ka thënë Churkin, duke rikujtuar se Hoxhaj flet në kapacitet privat para anëtarëve të KS të OKB’së.