E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Vendimi i GJND-së vulosi shtetësinë e Kosovës

PRISHTINË- Me rastin e tre vjetorit të opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, iu ka dërguar nga një letër falënderimi të gjitha shteteve të cilat e kanë mbështetur Kosovën, në këtë proces.

Në telegram, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për qeveritë respektive, për përkrahjen që i kanë dhënë pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës në GJND, duke shprehur pozicionin e tyre në favor të pyetjes se “a është deklarata e pavarësisë së Kosovës në pajtim me të Drejtën Ndërkombëtare?”.

Hoxhaj thekson se vendimi afirmativ i GJND-së është një argument mbështetës shumë i rëndësishëm për të drejtën e Kosovës për shtetësi dhe sovranitet, i cili ka shërbyer si një përshpejtues i objektivit të Kosovës për kompletimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare.

“Vendimi i GJND-së është një argument mbështetës shumë i rëndësishëm për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe shtetësi, i cili është pasuar nga veprime të suksesshme të shtetndërtimit dhe konsolidimit që kanë luajtur një rol vendimtar në justifikimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.”, shprehet Hoxhaj, në letër.

Ministri i Jashtëm i Kosovës thekson se vendimi pozitiv i GJND-së, gjithashtu ka hapur rrugën për dialog me Serbinë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›