Hoxhaj dënon rrëzimin e aeroplanit turk nga regjimi i Assad-it

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu, përmes së cilës ka dënuar ashpër sulmin e forcave siriane ndaj aeroplanëve turk.
“Republika e Kosovës i bashkohet shteteve demokratike të botës dhe Këshillit të NATO-së në kundërshtimin dhe dënimin e këtij sulmi, i cili është i papranueshëm për popullin dhe Qeverinë e Kosovës. Ky sulm edhe njëherë dëshmon se regjimi i Assad-it vazhdon të shkel të gjitha normat ndërkombëtare të paqes, sigurisë dhe të drejtat e njeriut. Republika e Kosovës mbështet aspiratat e popullit sirian për liri, dinjitet njerëzor dhe të drejta politike”, thuhet në letrën e ministrit Hoxhaj.