E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushtaku: Marrëdhëniet me Thaçin -deri diku, me Krasniqin -jo si më parë

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori emërtimin në odën e Adem Jasharit në Prekaz dhe jo në Zvicër apo gjetiu”, ka thënë njëri nga luftëtarët e parë, Sami Lushtaku. Ai në një intervistë për emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin, ka folur gjatë për çështje të ndryshme, duke filluar nga periudha e luftës, e deri tek udhëheqja e tij me komunën e Skënderajt.

Lushtaku ka sqaruar takimet mes Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës e Bujar Bukoshit në Tiranë, marrëdhëniet me Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, prezencën e tij në kuvendin e Kosovës gjatë zgjedhjes së ish-presidentit Pacolli, udhëheqjen e tij në Komunën e Skënderajt dhe synimet e tij politike pas përfundimit të mandatit të kryetarit. Një prej figurave më të përfolura të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka rrëfyer për angazhimin e tij në fillimet e organizimeve të asaj që më pas do të bëhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe takimet e Adem Jasharit, kushëririt të tij, me udhëheqësit politikë të viteve 90, raporton Koha.

Sipas Lushtakut emërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte bërë në odën e Adem Jasharit, jo siç kishin deklaruar disa nga ish-luftëtarët e tij, në mesin e të cilëve edhe Xhavit Haliti e Rexhep Selimi.

Sami Lushtaku nuk ka pranuar të ketë ndonjë informacion për 40 mijë markat të cilat është thënë t’i ketë marrë deputeti aktual Azem Syla, për sigurimin e armatimit për familjen Jashari.

Ai ka shpjeguar edhe rrethanat në të cilën i ishte prezantuar marrëveshja e Rambujesë nga Hashim Thaçi, të cilën fillimisht kishte refuzuar ta nënshkruajë.

Kryetari më i votuar i ndonjë komune në Kosovë, Lushtaku, u deklarua edhe për futjen në listën e zezë të kryetarit të SHBA-së, George Bush, dhe ka mohuar të kishte lidhje me organizimet ushtarake të asaj kohe, si UÇPMB-ja.

Dënimin që e kishte marrë për pengim të personit zyrtar për kryerje të detyrës, ai e cilësoi si të motivuar politikisht ndaj tij, ndërsa ka thënë të mos jetë në sy të mirë të bashkësisë ndërkombëtare, për faktin që ishte kontrolluar mbi 10 herë në shtëpinë e tij, e nuk ishte gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Marrëdhëniet e tij me kryeministrin aktual, Hashim Thaçi, jo gjithherë kanë qenë të mira, pranon Lushtaku.

Qëndrimi i tij në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës që ishte zgjedhur tanimë ish-presidenti Behgjet Pacolli, që ishte parë si presion për deputetët që nuk e kishin votuar Pacollin, Lushtaku thotë se vetëm i ka ndihmuar procesit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›