Hsinhua: SHBA po ndërhyn në punët e Kinës
Agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, Hsinhua, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “ndërhyrje” në punët e Kinës, pas publikimit të raportit të ri të Departamentit amerikan të mbrojtjes, në të cilin thuhet se duket se Kina është në rrugë për të ndërtuar ushtri moderne deri në vitin 2020.
Veçanërisht, raportoi Hsinhua, raporti vjetor i Pentagonit për Kongresin e Shteteve të Bashkuara “ndërhyn” në marrëdhëniet e Kinës me Tajvanin.
Në raportin amerikan tërhiqet vërejtja se Kina ka zgjeruar avancimin e saj ushtarak kundër forcave të Tajvanit, duke pasur artileri më të mirë, që mund të godasë trupat brenda në Tajvan.
Kina e konsideron Tajvanin territor të saj, i cili një ditë do të ribashkohet me pjesën kontinentale të Kinës, nën pushtetin kinez, edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Shtetet e Bashkuara e kanë furnizuar Tajvanin me armatim.
Në raport, Pentagoni thekson se ushtria kineze ka investuar në teknologji, që do ta zgjeroj mundësinë e arritjes së trupave në rajonin e Paqësorit, që potencialisht destabilizon balancin ushtarak rajonal, ku vazhdojnë të shtohen tensionet.