E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë në kujtim të viktimave të komunizmit

Fotografi të shumta, video-projeksione, vitrina me sende personale të të dënuarve që vuajtën në burgjet e komunizmit, kronika dhe dokumentarë të kohës, por edhe instilacione telash me gjemba apo efekte zanore, do të jenë pjesë e ekspozitës "Nderim viktimave të sistemit komunist", që do të çelet sot në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Materialet e mbledhura nga Arkivi i Shtetit, Arkivi i Filmit, Instituti i të Përndjekurve, Qendra e Studimeve Albanologjike, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave etj., synojnë të përcjellin në mënyrë simbolike situatën e viteve 1943-1990. Fondi i kësaj ekspozite do të integrohet dhe do të jetë bërthama e një pavijoni të përhershëm në Muzeun Kombëtar që në të ardhmen do të çojë në një muze vetëm për gjenocidin. Krahas muzeut, qeveria ka menduar të ndërtojë dhe një obelisk, i cili do të vendoset në sheshin përballë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori", në Tiranë. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ministri Ylli Pango u shpreh se "ekspozita që do të hapet më 20 shkurt, ditën kur 18 vjet më parë ranë mitet e komunizmit, është e ndërtuar mbi katër elemente kryesore artistike, të cilat janë ndërveprues me njëri-tjetrin". Elementi i parë është foto-instalacioni, që është dhe struktura bazë e ekspozitës. Për këtë specialistët kanë menduar të prezantojnë rreth 180 metra linearë printime fotografish origjinale bardhezi. Ndërkohë që salla është në gjysmerrësirë, fotot janë me ndriçim nga pas. Në qendër të saj, ekspozita plotësohet me një instalacion qendror, një gardh me tela me gjemba 15 metra i gjatë dhe 3 metra i lartë. Sipas Pangos, përzgjedhja e këtij elementi është bërë për t‘iu kujtuar një fragment sado të vogël të pamjes së përditshme të mijëra shqiptarëve që vuajtën në burgjet dhe kampet e punës përgjatë sistemit komunist. Materiale që shfaqen për herë të parë do të jenë edhe projeksionet filmike, në të cilat shfaqen momentet e përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës në fjalë. Ndërkohë që në vitrina të posaçme janë vendosur objekte të përditshmërisë së të burgosurve, të dhuruara prej tyre apo familjarëve. Ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë që përmes efekteve të dritës, zërit, video- projeksionet, të përfshijë emocionalisht vizitorët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›