E Diel, 1 Nëntor 2026

Hugo Loris: Jemi padronë të fatit tonë

Përgatiti: DENIS HAKANI

Portieri i Francës vlerëson Ukrainën, por shton: Nëse luajmë siç bëmë ndaj Anglisë kam besim se do të fitojmë në dy ndeshjet e mbetura në grup

Nuk ndodh çdo ditë që futbollistët të analizojnë më imtësi paraqitjen e tyre pas një ndeshjeje të rëndësishme, por Hugo Loris nuk është një futbollist i zakonshëm. I zgjuar dhe i respektueshëm, portieri i Lionit dhe i Francës nuk bën pjesë tek ata kampionë që e kanë lënë veten të ndikohen nga fama.

Për rrjedhojë, pas barazimit të Francës 1-1 kundër Anglisë në Euro 2012 dhe në pritje të përballjes me kryesuesit e Grupit D Ukrainën, që është dhe vendi organizator bashkë me Poloninë, ka bërë një analizë të lojës së tij dhe ka folur për mundësitë e skuadrës së Lorent Blank në kompeticionin europian.

Përballja e rëndësishme me Tre Luanët është e freskët në mendjen e Lorisit. Ka qenë një ndeshje e madhe futbolli, ka thënë ai, duke parë edhe rezultatin pozitiv që ka dalë nga ndeshja e Donjeckut. Të dyja skuadrat kanë kërkuar fitoren.

Anglezët kanë bërë një paraqitje solide dhe ne jemi kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë. Duhet thënë se nuk është asnjëherë e lehtë të rikuperosh pasi ke kaluar në disavantazh dhe ne e kemi bërë këtë shumë shpejt.

Ndërsa ka qenë i kënaqur me paraqitjen kolektive të skuadrës, për Loris ka qenë një eksperiencë e pazakontë, nga këndvështrimi i një portieri. Si portier, një ndeshje e tillë nuk luhet shpesh, ka thënë 25-vjeçari. Kur luan kundër Anglisë, zakonisht, duhet ta prekësh topin më shumë herë nga sa kam bërë unë.

Kjo është një shenjë që tregon se ne kemi luajtur mirë, por unë prisja që të vihesha më shpesh në provë. Kombëtarja franceze është vënë sigurisht në provë nga goli i realizuar nga Xholeon Leskot në pjesën e parë, por portieri nuk mund të bënte shumë në atë rast.

Loris e ka analizuar këtë moment me detaje. Stiven Xherard ka ekzekutuar një goditje dënimi shumë të saktë, ka thënë ai. Të gjithë e dimë se ai është shumë i aftë në këto situata dhe duhet të kishim qenë të përgatitur për këtë, por kemi gabuar.

Gjithashtu duhet të pyesim veten nëse jemi tërhequr më shumë se duhet në zonën e rreptësisë kur është ekzekutuar goditja e dënimit. Problemi është se Alu Diarra nuk ka mundur të largojë topin dhe Leskot ka goditur shumë afër portës, ka vazhduar Loris.

Topi ka kaluar midis duarve të mia: ka qenë shumë i shpejtë dhe unë nuk kam reaguar aq shpejt sa duhej. Por ndonjëherë nuk mund të bësh asgjë. Tani Franca do të ketë një ndeshje delikate kundër Ukrainës, që gjithashtu ka mundësi të kualifikohet në fazën çerekfinale pas fitores kundër Suedisë.

Loris e di se Franca nuk do të mund të heqë këmbën nga gazi në asnjë moment. Do të jetë një përballje e vështirë, ka thënë kapiteni i Francës. Të luash kundër vendit organizator përballë tifozëve të tyre është gjithmonë e rrezikshme dhe Ukraina ka një ekip shumë të mirë.

Por unë kam besim te forca jonë. Kemi treguar se kemi karakter, që është një aspekt që mund të të ndihmojë të shkosh larg. Për Loris është e qartë se ku duhet të përmirësohet Franca nëse do të fitojë nesër. Mendoj se duhet të përmirësohemi në finalizimin e aksioneve.

Nuk mund të përsërisim atë që kemi bërë kundër Anglisë, ku kemi dominuar dhe krijuam disa raste, por nuk kemi arritur të gjejmë golin. Duhet të jemi më shumë efikasë përpara portës. Megjithatë, portieri e ka mbyllur analizën e tij me një koment pozitiv.

Në aspektin taktik gjërat kanë shkuar mirë deri tani, veçanërisht nëse bëjmë një krahasim me Botërorin e Afrikës së Jugut, që akoma rëndon mbi shpatullat tona, ka thënë Loris. Mund ta kishim mundur Anglinë dhe nëse do të fitojmë me Ukrainën do të kryesojmë grupin. Kjo mundësi ekziston dhe është plotësisht në dorën tonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›