Partizani, në qershor vetëm përgatitje fakultative
Seancat e para stërvitore për sezonin e ri do të nisin këtë muaj, ku do të shfrytëzohen pauzat e EURO 2012- ës. Seriozisht puna nis në fillim të korrikut
Vëmendja kryesore e opinionit sportiv është e përqendruar te Kampionati Europian, që po zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Stafi teknik i Partizanit ka menduar që përgatitjet e skuadrës për edicionin e ri të nisin këtë muaj, duke gjetur edhe një metodë, që nuk do ti kufizonte lojtarët për ta ndjekur EURO 2012-ën.
Në analizën që u bë për sezonin e fundit, ku Partizani siguroi ngjitjen në Kategorinë e Parë, futbollistët janë ngarkuar nga drejtuesit që të ndjekin një plan përgatitor individual dhe të larmishëm. Ndërsa në mënyrë të grupuar do të shfrytëzohen ditët, kur nuk ka ndeshje në Europian.
Duke ditur se kemi gjithë kohën e mjaftueshme për tu përgatitur për sezonin e ri, lojtarët i kemi rekomanduar që të përgatiten çdo ditë, në mënyrë që të jenë gati, kur të nisë puna intensive. Aktualisht, vëmendja e të gjithëve është përqendruar tek Europiani, prandaj kemi vendosur që gjatë këtij muaji të mos bëhemi pengesë dhe ata ta shijojnë këtë veprimtari.
Shpresojmë se, duke e ndjekur këtë kampionat, edhe lojtarët tanë mund të mësojnë ndonjë gjë të mirë. Por, gjatë ditëve që nuk do të ketë ndeshje, futbollistët do të mblidhen dhe të përgatiten nën drejtimin e stafit.
Pra, qershorin do ta mbyllim me përgatitje fakultative, ndërsa seriozisht përgatitjet për sezonin e ri do të nisin në ditët e para të korrikut, – u shpreh për Sportin shqiptar administratori i të kuqve të kryeqytetit, Gjergji Thaka.
Shoqëria e re aksionare Që më 4 qershor Ministria e Mbrojtjes e ka regjistruar në QKR shoqërinë anonime, që do të përkujdeset për Partizanin sezonin e ri. Por Ministria e Mbrojtjes është e detyruar që të bëjë një modifikim në emrin e shoqërisë anonime, Klubi i Futbollit Partizani. Ky vendim është marrë pas ankimimit të bërë nga Albert Xhani.
Por kjo lëvizje nuk e prish rrugën, pasi shoqëria e re konsiderohet fakt i kryer dhe që tani ka nisur puna për ndërtimin e skuadrës, që do ta përfaqësojë Partizanin në Kategorinë e Parë. Mësohet se në dikasterin ushtarak nuk duan tia dinë as për gjyqin që zhvillohet në Gjykatën e Apelit rreth çështjes së logos, që përdoret nga shoqëria tregtare Partizani sh.a, e administruar nga Albert Xhani.
Prandaj për Ministrinë e Mbrojtjes çdo lëvizje është thjesht për të penguar apo për të interferuar, por për ata nuk ka kthim prapa dhe pritet që në sezonin 2012-2013 të marrë rrugë rigritja e vërtetë e demave të kuq.
