E Shtunë, 31 Tetor 2026

Renato Malota, midis Zvicrës dhe Shqipërisë

Nga Andi Matraxhiu

Mbrojtësi lezhjan ka oferta nga disa skuadra të Superligës, por pret të udhëtojë në fundjavë drejt Zvicrës, për të marrë më pas vendimin përfundimtar

Në radhët e Dinamos së edicionin të fundit futbollistik ka pasur shumë futbollistë të spikatur, pavarësisht se blutë kanë zbritur në Kategorinë e Dytë. Njëri prej tyre ka qenë edhe lezhiani shtatlartë Renato Malota, i cili duket se është në shënjestrën e disa klubeve më me emër në Shqipëri.

Po ashtu, Malota ka një ofertë konkrete edhe nga Zvicra, drejt së cilës mund të udhëtojë në fundjavë. Zërat e pakonfirmuar flasin për skuadrën e Lokarnos, atje ku aktivizohen edhe 2 shqiptarë të tjerë, Armando Sadiku dhe Klodian Semina.

Ndërkohë, vetë futbollisti në fjalë nuk kërkon ti bëjë publikë emrat. Kam disa oferta nga skuadra me emër në kampionatin shqiptar. Shumë shpejt do të ulem të flas konkretisht me drejtuesit e tyre dhe ende nuk kam vendosur.

Gjithashtu, ju siguroj se ka një interesim konkret nga Zvicra dhe në fundjavë mund të shkoj atje. Më bëhet qejfi që jam i vlerësuar në tregun shqiptar dhe do ti respektoj edhe drejtuesit e skuadrave të kampionatit tone, por, siç e kam deklaruar edhe më pare, dëshiroj ta provoj fatin jashtë Shqipërisë. Për momentin jam i pavendosur.

Do të shikoj me kujdes gjatë ditëve në vazhdim çdo gjë, ndërkohë që nuk dua të përmend emra, sepse nuk është etike. Pasi të kem folur me ata personalisht dhe të kem dëgjuar atë që më ofrojnë, pa dyshim që mund të mësoni për cilët ekipe bëhet fjalë.

Me Dinamon në sezonin e fundit kemi vuajtur shumë, si në aspektin e arbitrimit, që ka qenë disa ndeshje kundër nesh, por edhe në atë infrastrukturës. Nuk dua tu futem problemeve që e rrethojnë Dinamon, por që në vitin 2012 të vazhdosh të mos kesh fushë, të jesh pa dushe, pa dhoma zhveshjeje, është vërtet skandal.

Por kjo histori është një mësim i mirë për të gjithë ne futbollistët me të ardhme përpara. Të gjithë duhet të mendojnë për më të mirën e tyre, pasi futbolli nuk është vetëm 90 minuta në fundjavë, por edhe kushte stërvitore dhe trajtim.

Më vjen keq, pasi blutë kanë qenë një ekip model. Kam arritur të fitoj edhe titullin kampion me këtë ekip, ndërsa rënia nga Superliga ka qenë një vuajtje e madhe për të gjithë ne. Dua të them me siguri në emër të të gjithë grupit se skuadra ka sakrifikuar sipas mundësive, por faktorë të tjerë kanë ndikuar në rënien e saj.

Ne mbajmë përgjegjësit tona në përqindje të vogël, por janë të tjerë faktorë, që na kanë shkatërruar. I uroj fat Dinamos dhe rikthim të shpejtë në Supeligë, atje ku i takon të jetë kësaj skuadre madhështore të futbollit shqiptar.

Jam i bindur se njerëz të caktuar nuk do të kenë mundësi ta shkatërrojnë Dinamon, pavarësisht dëshirave dashakeqëse që mund të kenë. Do të vijë një ditë, që gjërat do të shkojnë në vendin e duhur.

Mbase edhe mund të rikthehem në të ardhmen të luaj sërish me blutë, por pa shkuar gjërat në normalitet, është tepër e vështirë. Duhet ta provoni vetë që të kuptoni tamam atë që ne kemi vuajtur mbi shpatulla, – është shprehur mbrojtësi Renato Malota.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›