Shansi historik që koalicioni i integrimit të përmbyllë me dy mandate misionin e vet
Tashmë po duket qartas se LSI-ja do të jetë partia e cila do ta anojë majtas ose djathtas peshoren e zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s. Kjo e vërtetë, sa vjen e bëhet më e prekshme. Aq e prekshme po bëhet, sa lidhur me të nesërmen politike të LSI-së, kanë nisur të prononcohen gjithnjë e më shumë, qoftë personalitete të spikatura të lidershipit të vet, qoftë të lidershipit socialist ose opozitar, në përgjithësi. Të parët, nisur nga përvojat e dhimbshme që kanë përjetuar, shprehen ashpër për marrëdhëniet e PS-së me partnerët e saj më të vegjël, përfshi edhe LSI-në. Të dytët, s’reshtin së vëni në dukje se një rikthim “në vathë” i LSI-së, do të ishte fitore e garantuar e së majtës.
E dalë nga gjiri i Partisë Socialiste, s’ka dyshim se LSI-ja i përket spektrit të majtë politik, ndonëse në koalicion qeverisës me të djathtën, bashkë me të cilën konkurroi edhe në zgjedhjet e fundit vendore nën siglën “Aleanca për Qytetarin”. Tashmë dihet mirëfilli dobia që i solli vendit koalicioni ekzistues, i cili shmangu prej karriges së kryeministrit ngatërrestarin dhe sherrxhiun e politikës, Edi Ramën, njeriun që e katandisi Tiranën në ditë të hallit, si kryebashkiak i saj. Nga ana tjetër, kuptohet lehtësisht e drejta e saj të kërkojë e të gjejë rrugë të reja që të akomodohet sa më mirë në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s.
Në kushte të tilla, duke pasur parasysh edhe prononcimet e sipërpërmendura, vëzhguesit të vëmendshëm i lindin sot për sot shumë pyetje në kuadër të zhvillimeve politike të ditës, në funksion edhe të së ardhshmes. Pa shpërfillur pyetjet e tjera, më thelbësorja që pret përgjigje, do të ishte pak a shumë kjo: Duke qenë në koalicion me PD-në e qendrës së djathtë dhe në sherr me liderin ekstremist të së majtës, çfarë do të parapëlqejë LSI-ja në pritje të vitit zgjedhor 2013, zhvendosjen më majtas spektrit politik apo më djathtas, drejt qendrës?
Shumëkush mendon se LSI-ja nuk do të shpërfillë asnjërën nga të dyja mundësitë. Përkundrazi, do t’i mbajë në rend të ditës, në kërkim të hapësirave politike më komode për të ardhmen. Sipas meje, askush nuk mund të parashikojë të parashikueshmen, pasi në politikë ndodhin edhe të papritura. Gjithsesi, duke marrë në konsideratë disa lëvizje të saj qysh prej prishjes me Edi Ramën, diçka mund të hamendësohet.
Së pari, s’duhet harruar elektorati i LSI-së me pikëpamje politike të majta. Një lëvizje e mundshme djathtas, drejt qendrës, do të krijonte përshtypjen se ajo do të braktiste idealet prej të cilave mori jetë si parti. Në një rast të tillë, makina propagandistike e së majtës do të shpërthente një fushatë denigruese që do ta ngatërronte në mënyrë të pazgjidhshme nyjën politike të cilën nuk do ta zgjidhte dot as shpata që i dha fund Nyjës Gordiane. E thënë troç, kjo do të sillte si pasojë tkurrjen e elektoratit të LSI-së dhe prurje të reja drejt PS-së e partive aleate të saj. Dëmi politik do të ishte me kosto të lartë si për atë vetë, ashtu edhe për koalicionin ku bën pjesë aktualisht.
Së dyti, s’duhet harruar se, si parti qeverisëse, LSI-ja u promovua rishtas me zgjedhjet e 2009-s, duke u lidhur në aleancë me një forcë politike historikisht kundërshtare, për shkak të kaheve të kundërta. Falë guximit për të thyer tabunë e deriatëhershme, elektorati i saj u ndje sërish pjesë të pushtetit, kurse falë “zemërgjerësisë” së PD-së, si parti kryesore e koalicionit qeverisës, u mundësua politikisht, institucionalisht dhe administrativisht jetësimi i programit të saj për integrim në BE. Në zgjedhjet e fundit, gjithashtu falë koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, LSI-ja i shfrytëzoi bindshëm hapësirat e nevojshme për t’u pozicionuar sa më mirë në organet e qeverisjes vendore.
Mua nuk më ngjajnë aspak “çudi”, madje as të mëdha, as të vogla “reagimet diametralisht të kundërta, diku dhe ‘të prera’ të disa drejtuesve të LSI-së”, siç i duken zotit Meidani, çka, sipas tij, “vë në dyshim pozicionimin parimor të dikurshëm të tyre!...” Çfarë priste ish-President i Republikës pas kurthit edramist (sipas “ca zërave të ligë (!)” për heqjen qafe të LSI-së), “në tentativën e paramenduar mirë për mënjanimin e partive më të vogla, si LSI, PSD, PDS etj. nga skena politike dhe kalimin e sistemit politik në atë dypartiak...”? (“Panorama”, 7 gusht, 2011).
Reagimi nervoz i zotit ish-president ndaj drejtuesve të LSI-së mua nuk më duket naivitet politik, as mungesë informacioni. Përkundrazi, kam bindjen se, duke bërë “zëdhënësin” e Edi Ramës, ai rreket në mënyrë të dëshpëruar të mbajë në fre elektoratin tashmë të çorientuar të PS-së. Kambanat duhet të bien qysh tashti, sa s’është vonë. Përndryshe një dështim i ri i aventurierit Rama, do ta rrokulliste përfundimisht në theqafje PS-në dhe të majtën në tërësi.
Mirëpo zhvillimet politike flasin me gjuhë tjetër. Ditët e fundit, duke përjashtuar mundësinë që Edi Rama ta përdorë LSI-në si karrem për të peshkuar karrigen e kryeministrit, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së e ka bërë të qartë se aleancat dhe koalicionet e saj “ngrihen mbi bazamente që kanë në themel interesat europiane të vendit dhe jo interesat individuale të askujt”. Pra, nëse do t’i referohemi kësaj deklarate të Luan Ramës, si edhe atyre në vazhdimësi të liderit Ilir Meta ose krerëve të tjerë të LSI-së, atëherë duhet të presim që ajo, si forcë politike, të përqendrohet më tepër në programin e saj integrues drejt Europës demokratike, çka do të thotë thellim i ndarjes me PS-në dhe forcim i koalicionit qeverisës. Kjo, sipas meje, nuk do të thotë zhvendosje drejt ndonjërit prej kaheve të kundërta të boshtit politik, madje as drejt qendrës. Përkundrazi, do të thotë jetësim i programit të vet. Në një kontekst të tillë zhvillimesh politike, nuk do të ishte befasi që mandati i dytë i koalicionit qeverisës aktual të jetë prag-hyrja në Europën e Bashkuar. LSI-ja ka në dorë shansin historik në të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por të mbarë kombit shqiptar.