E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sprova/Nga nocionet e dehjes mistike tek aneksi tokësor i dollisë

Duke shfletuar literaturë, dikur kisha hasur ne një konstatim te sjellë nga hulumtime, analiza e teste të gjata psikologjike. Aty thuhej: “Sipas konstatimeve te ardhura nga hulumtime të zgjatura, del se gëzimet dhe kënaqësitë më të mëdha, më të thella e më me zjarr tek njeriu, shkaktohen nga dhimbjet, fatkeqësitë dhe tragjeditë e atyre që i urrejmë”. Por të gjitha këto sikur i mpin disi pija, një alternativë e ndrydhjes vetjake. Dehja është një mekanizëm i sprovuar qysh në lashtësi, mjafton të gjurmojmë faqet e librave të shenjta indiane Veda, për të kuptuar se përse ajo qe aq e pranishme aty. Hyjnitë e Indianëve të vjetër kishin një pije eksituese të quajtur “soma” ose “somapavamana”, e cila kishte fuqi të mbinatyrshme e të sillte këndvështrimin vizionar.

Kur udhëtohet ndër vende të ndryshme të botës, për të kuptuar vendalinjtë, gjëja e parë që bëhet është të pyesësh se ç’pije tradicionale kanë, e prej andej edhe konformohet disi sjellja e mysafirit. Në çdo vend që do të shkosh mund të gjesh emërtime të tilla: tragos, aguardiente, rakì, puros, sgnappe, sakè, chicha; pra çdo kulturë ka një emër të dashur për origjinën e dehjes. Qëkur dikush arriti të kuptojë se duke fermentuar gjithçka ose pothuajse gjithçka; fruta, cerealë, qumësht, patate, yucca apo manioca, mund të prodhohej një pije dehëse që të “tundte”, sikurse ka ndodhur alkooli është bërë një shok në të gjitha kulturat, edhe në ato që e largojnë parimisht si është Islami, por më pas e ndjekin në udhëtime mistike të Sufëve, të dervishëve rrotullues.

Ajo drejton shamanët në ekskursionet e tyre jashtë trupit, merr me vete komunitete të tëra për të përballuar periudhat më të këqija të vitit, ndërron ritmin me prezencën e saj në festa e ditëlindje. Nëse në një anë “dehja mistike” gjendet në të gjitha kulturat e mëdha sepse lejon atë variacion të normalitetit, që është formalizuar në festa ose karnavale, por ka dhe diçka tjetër: qarja dhe memoria, nga ana tjetër nuk ka kulturë që të mos këtë krijuar mënyra dhe gradacione për të rregulluar efektet. Edhe minatorët e minierave të argjendit më të rrezikshmet të botës, në Peru, ajo që quhet borracheria “dehja ose të bëhesh tapë”, merr një aspekt të rregullt komunikimi me Virgen, me virgjëreshën Shën Mëri që shfaqet në thellësitë e tokës për të luftuar praninë e Djallit, simbol i punës së paguar, një punë e krijuar nga të bardhët.

Nuk ka sesi të jetë ndryshe, siç thoshte edhe William Faulkner (“civilization begins with distillation”), alkooli të civilizon. Në fakt të ndihmon të mos jesh euforik për gjera të kota, dhe për më shumtët, të përbuzësh të dehurit. Ndërsa aztekët dinin të injektonin në masë efektet e “pulken”, një pije me shkumë që nxirrej nga maguey, nga fruta e agaves dhe doza më e madhe shpërndahej çdo katër vjet në kalendarin aztek mungonte një ditë (fiks si 29 shkurti jonë). Dehja kolektive të dërgonte drejt humbjes, me gabime kozmike bile.

Kur shkuan misionarët jezuitë dhe mbas tyre spanjollët “conquistadores”, pulkeni u ndalua dhe në vend të saj u fut vera, që kultura lokale nuk dinte ta kontrollonte. Dhe qysh atëherë hyri dehja e trishtimit, ajo e verës. Por edhe ajo e fitimtarëve. Misionarëve të frikësuar nga inteligjenca e indios, iu ndalua nga kisha e Romës, që të predikohej në gjuhën lokale nauatl, po kështu edhe misionarët u futën duke pirë e mbuluar me pije e falimentimit të tyre. Vera, të mos e harrojmë, është bërë e shenjtë jo për metaforë, por për “transustancimi”, një e vështirë për të treguar kthimin e trupit të Krishtit në verë. Mbi këtë temë janë hapur shumë herezi dhe prej andej u ngjiz edhe filozofia karteziane. Vera nuk ka qenë kurrë “vetvetja”, gjithsesi, nëse për grekët ishte një pije dhe në të njëjtën kohë Dionisi, një Dionis qejfli, por edhe i vënë në vdekje nga qejfleshat në një gjendje të dehur. Për grekët vera ishte një helm dhe një dhuratë, në kuptimin e hershëm të fjalës, nga pharmakos, dhe të gift, një gjë që mund të të bëjë mirë, por mund edhe të të vrasë.

Por edhe sot në kulturën popullore, “dehja” është një fenomenologji, pra një seri shkallësh që duhet t’i ngjitësh: për shembull flitet në kulturën andaluze për të paktën katër shkallë: e para cantos religiosos, një dehje mistike, cantos patrioticos, një performancë politike që të kandis në gatishmërinë për rrahje, negacion de la evidencia, kur dehja bën efekt tek shqisat, dhe në fund në apoteosis final, një asgjësim total i të dehurit, i cili pandeh se ka të drejtë për çdo gjë.

Pa alkool mund ta harrojmë bazën e qytetërimit perëndimor dhe të bashkëjetesës civile, Simpoziumi Conviviumi, një vend dhe një situatë në të cilën dehja rregullonte e kontrollonte, në mënyrë që fjala të behej pjellore dhe për të krijuar një afrim me mistiken me njerëzit dhe për të gjetur të vërtetën midis tyre. Më i afti midis tyre ishte Sokrati, që pinte shumë, por që ishte gjithmonë i qartë. Dhe Krishti paraqitet prej cinikëve jo aq larg. Ai paraqitej në darkat e tij nën shoqërinë, jo vetëm të apostujve, publikanëve romakë që vilnin taksat, por edhe me qytetarë të thjeshtë, deri edhe me të përdala që harbonin nëpër bankete, imazhe që u shërbyen kritizerëve të kohës së lashtë, farisenjve, për fushatën e tyre që dënonte hipokrizinë.

Aneksi i dollisë/Është vendi ku dehja nuk shihet si një rregull, por si një provë ekstreme. Lexuesit nga jugu duhet t’i dinë mirë rregullat e tavolinës dhe të dollisë, aty ku shëndeti i të tjerëve mund të të bëjë që të humbësh tëndin. Pija me fund është një gjetje e jona, vendase me sa duket, një gjetje që tregon për irracionalitetin e vetë konsideratës që ne kemi për pijen. Ajo nuk duhet shijuar, por gllabëruar. Duhet dërguar në qilarët e stomakut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›