Humbet jetën punëtori i ndërtimit, nis hetimi ndaj administratorëve të firmës
Durrës – Prokuroria e Durrësit ka nisur procedimin penal në ngarkim të dy personave, Silvan Deda dhe Adriatik Hasa, në pozicionin e administratorit dhe drejtuesit teknik të një firme të njohur ndërtimi për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të sigurimit në punë”, parashikuar nga Neni 289 i Kodit Penal.
Kjo pasi dy ditë më parë, në objektin gjashtëkatësh të firmës së ndërtimit ka rënë nga lartësia 21-vjeçari Saimir Bënja, lindur në Tepelenë dhe banues në Lagjen e Kënetës. Ai nuk ka mundur të mbijetojë pasi dëmtimet e pësuara nga rënia në lartësi ishin të mëdha. Saimir Bënja, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin e Durrësit, ishte punëtor ndërtimi dhe punonte në pallatin nga i cili është rrëzuar.
Goditet me mjete të forta pas një sherri, policia shpall në kërkim autorët
Durrës - Goditjet e forta në kokë në grindje e sipër me dy persona, i kanë shkaktuar një hematomë në tru, e cila e bën të jetë në gjendje të rëndë për jetën. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, i dëmtuari nga kjo ngjarje është Gëzim Dauti, banues në Lagjen Nr. 18 të Durrësit. Goditjet i janë shkaktuar gjatë një konflikti për motive të dobëta pranë një lokali, ku ai është bërë pre e personave Fatmir Bajrami, Aleksandër Mazniku dhe Mustafa Korra. Si pasojë e goditjeve të marra, Gëzim Dauti ka mbetur i dëmtuar dhe ka shkuar në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore. Pasi është mjekuar, ai, edhe pse ka dalë nga spitali, ka ndjerë shqetësime në kokë si pasojë e goditjeve të marra dhe për këtë arsye është shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën. Policia po bën të ditur ndërkaq, se po punon për kapjen e autorëve të kësaj ngjarje Mustafa Korra dhe Aleksandër Mazniku, ndërsa ka arritur të ndalojë Fatmir Bajramin.
Itali, kapet shqiptari, akuzohet për përdhunim
ROMË - Një shqiptar 23-vjeçar është arrestuar nga Policia italiane pasi akuzohet për dhunë seksuale. Një shtetase rumune ka identifikuar shtetasin shqiptar si autor të dhunës seksuale që kishte pësuar dje në mëngjes në një apartament në Campagnano Romano, afër Romës. Mediat italiane bëjnë të ditur se Roland Hoxholli është arrestuar mbrëmë pas marrjes në pyetje dhe disa ekspertizave mjekësore. Ai akuzohet për përdhunim dhe media italiane bën të ditur se më 9 mars Hoxholli ishte arrestuar nën akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj së fejuarës.
Dhunoi dy vëllezërit Xhyra, në hetim 48-vjeçari
Librazhd - Një 48-vjeçar u ndalua në orët e vona të një nate më parë, pasi akuzohet për veprat penale “shkatërrim i pronës” dhe “plagosje me dashje”. Burime të policisë lokale thanë për gazetën “Albania” se “48-vjeçari Shyqeri Rama, me banim në fshatin Floq të rrethit të Librazhdit, ka dhunuar dy bashkëfshatarët e tij, vëllezërit Lulzim dhe Durim Xhyra, si dhe ka dëmtuar mjetin e tyre tip traktor bujqësor, pas një konflikti për motive pronësie". Mësohet se dy të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Librazhdit.
18 Maj 2009