E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, Garda dhe Policia, 10 pensionet suplementare dhe kushtet e përfitimit



Jonida Tashi

Unifikohen përfitimet suplementare për të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Projektligji i ri, i sapo miratuar, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, përcakton kushte të njëjta përfitimi të pensioneve suplementare për kategoritë e mësipërme. Sipas këtij projektligji, ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës, Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë së të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, gëzojnë të drejtën e 10 përfitimeve suplementare nga shteti, për: paaftësi të përkohshme në punë e shërbim; parandalim për sëmundje; rehabilitim shëndetësor; shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë; pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi; pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë; pension suplementar invaliditeti; pension suplementar familjar; pension suplementar familjar, kur, për shkak të detyrës, humbasin jetën; pagesa suplementare për shpenzime varrimi.
Pensioni parakohshëm
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, fitojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm, kur: plotësojnë vjetërsinë në shërbim, 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 42 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është sa 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur si më sipër, në çastin që lind e drejta për përfitim: për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se, dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me Ligjin Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur përfituesi rikthehet në shërbimin aktiv. Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë. Në rastet kur karriera është ndërprerë, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.
Paaftësia e përkohshme
Kushtet e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë
Ushtaraku i shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i Shërbimit Informativ të Shtetit, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për kohën që, për arsye shëndetësore, bëhet i paaftë për punë, paaftësi e cila vërtetohet me raport mjekësor, merr përfitime suplementare. Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet: 100 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë; 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim; 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim. Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, e punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në varësi të situatave operacionale, sipas përcaktimit të bërë nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, gëzon të drejtën e parandalimit për sëmundje.
Ministri i Mbrojtjes, me udhëzim, përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni. Shpenzimet për trajtimin shëndetësor dhe ritrajnimin e ushtarakut të Forcave të Armatosura, të punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, për rikthimin e aftësive në punë, nga një sëmundje apo dëmtim trupor, të ndodhur për shkak të detyrës dhe të vërtetuar nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, përballohen nga buxheti i shtetit. Ndërsa kriteret dhe masa e trajtimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm, i Forcave të Armatosura, i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nxirret në rezervë apo lirim, merr një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas këtij fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare.
Pagesë kalimtare jepet kur përfituesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Trajtimi financiar me shpërblimin e menjëhershëm dhe me pagesë kalimtare, për të dyja llojet e përfitimeve së bashku, zgjat për aq muaj sa përfituesi ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se 24 muaj. Personat nuk përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pagesë kalimtare në rastet kur: kryejnë vepra penale ose shkelje që dënohen me masën disiplinore përjashtim nga Forcat e Armatosura, nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës, SHISH-i, Policia e Burgjeve; largohet me kërkesën e vet për të filluar një veprimtari tjetër ekonomike ose për tu punësuar në një sektor tjetër; dërgohet me një detyrë shtetërore, më të lart ose paralele, me pagë mujore jo më të vogël se paga që merrte. Në rastet kur përfituesi punësohet, mund të përfitojë pagesë kalimtare për aq kohë sa është përcaktuar, por deri në atë masë, sa paga e re plus pagesën kalimtare, të mos e kalojnë pagën referuese mujore, në bazë të së cilës është llogaritur pagesa kalimtare.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar e të pleqërisë
Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që përfiton pension pleqërie, sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzon të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie. Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes të së drejtës për pension suplementar.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar e të invaliditetit
Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm përfiton të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur është deklaruar invalid dhe përfiton pension invaliditeti, të plotë a të pjesshëm, sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, ose Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore, par jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, që përfitohet sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, ose nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kur personat e sipërpërmendur bëhen invalidë në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit do të jetë 20 për qind e pagës referuese.

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar familjar
Pjesëtarët e familjes, në ngarkim të personave të përcaktuar më sipër, kur përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit Nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, ose Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar. Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe do të jetë 50 për qind për bashkëshortin/en e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes, në ngarkim. Kufiri maksimal, i këtij përfitimi nuk do të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji.
Pensioni suplementar familjar për personat që humbasin jetën në detyrë a për shkak të saj
Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, e të punonjësit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që humbasin jetën në detyrë a për shkak të saj, përveç se përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë edhe pension suplementar familjar sa diferenca ndërmjet pagës referuese të të ndjerit/së ndjerës, në çastin e humbjes së jetës, dhe pensionit familjar, që përfitonte, sipas dispozitave të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Llojet e përfitimeve suplementare
Paaftësi të përkohshme në punë e shërbim
Parandalim për sëmundje
Rehabilitim shëndetësor
Shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë
Pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë Pension suplementar invaliditeti
Pension suplementar familjar
Pension suplementar familjar kur për shkak të detyrës, humbasin jetën
Pagesa suplementare për shpenzime varrimi

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›