Humbet paratë në lojërat e fatit, vetëvritet i riu nga Berati
Bixhozi po kthehet në plagë të rëndë sociale. Berisha u angazhua për të luftuar këtë problem. Por janë qeveritarët që qëndrojnë pas këtyre bizneseve fitimprurëse
Humbja e një sasie të konsiderueshme parash ka bërë që një 27-vjeçar ti japë fund jetës. Dorian Soto, banor i lagjes Dëshmorët e Kombit në qytetin e Beratit, i ka dhënë fund jetës në orët e para të ditës së sotme.
Sipas mjekëve, vdekja e tij është shkaktuar nga marrja e një doze të madhe fotoksine.
Burime pranë policisë konfirmuan se ai është vetëvrarë pas një gjendje të rënduar psikologjike, pasi kishte lënë një shumë parash në lojërat e fatit.
Këto të fundit janë kthyer në një stres më vete, pasi shumë shqiptarë kanë kaluar në depresion si pasojë e humbjes së shumave të parave. Kryeministri Sali Berisha pati deklaruar se merr shume mesazhe nga familjarë, që ankohen se të afërmit e tyre po shkatërrojnë jetën në bixhoz.
“Kryeministri ka marre nje numer te madh shqetesimesh nga familjare, bashkeshorte te personave, te cilet shpenzojne te gjitha rrogat dhe te ardhurat e tyre, duke krijuar keshtu drama te verteta familjare, duke lene parate e tyre ne lojerat e fatit dhe ne kazino,” pati deklaruar Berisha.
Atëherë kryeministri u betua se do bëjë diçka për këtë plagë të rëndë sociale. Por njerëzit e qeverisë janë në krye të bizneseve shumë fitimprurëse të lojërave të fatit.
