E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Humbi jetën në aksidentin në Kroaci, 41-vjeçari pjesë e Komandës së Forcës Ajrore

41-vjeçari shqiptar, i cili humbi tragjikisht jetën në aksidentin që u regjistrua në Kroaci, ishte pjesë e Komandës së Forcës Ajrore.

Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka publikuar edhe një foto të 41-vjeçarit, të identifikuar si Gazmir Korbi.

Teksa i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit, Peleshi shkruan se ai kishte marrë lejen e zakonshme, por fatkeqësisht tashmë nuk do të kthehet më mes kolegëve.

“I dhimbshëm lajmi i ndarjes nga jeta të Gazmir Korbit, në aksidentin e ndodhur në Kroaci. Ai nuk mundi të kthehej më mes kolegëve të tij në kompaninë e mbështetjes në Komandën e Forcës Ajrore pas lejes së zakonshme.  Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe dhe të parakohshme!“, shkruan Peleshi.

Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 23:43 të së shtunës në autostradën ndërmjet Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit, ku një autobus me targa shqiptare u përmbys në rrugë. Për pasojë humbi jetën 41 vjeçari, i cili ishte pasagjer në autobus, ndërsa 9 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Shkaqet e aksidenit nuk dihen ende, teksa autoritetet në Kroaci kanë nisur hetimet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›