E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, hapet zyrtarisht sezoni, valle e balerina braziliane

SHKRUAN: Ervin Haruni 16-05-2011 10:58

Këto ditë fundjave kanë sjellë një atmosferë të pazakontë në Vlorë. Çelja zyrtare e sezonit turistik në qytetin bregdetar ditën e shtunë, ka shndërruar këto ditë në një festë të vërtetë, çka pritet të vijojë edhe ditën e hënë. Mesi i majit, që përkon me ditën e çeljes së sezonit, ishte thuajse një ditë vere, duke premtuar edhe kushte për plazh, ndërkohë që një axhendë e konsiderueshme aktivitetesh ka mbushur qytetin me gjallëri.

Nisur prej të premtes, pasditja ka mbajtur të mbërthyer shumë qytetarë në zonën e Skelës. Një grup motoristësh kanë qenë prezent me performancat e tyre, për të vijuar më pas me një koncert me ritme rock. Parashutistët kanë përshëndetur përgjatë gjithë ditës, pjesë e kampionatit të aeronautikës. Dita e djeshme ka nisur nga sheshi i Flamurit. Festivalistë të Aulona Internacional Folk kanë mbushur sheshin e Flamurit, fillimisht në një nderim të varrit të Ismail Qemalit, ngritjes së flamujve të shteteve të tyre përfaqësues, e më pas janë bashkuar në një valle gjigante nën ritmet e muzikës së Shqipërisë së jugut. Së bashku, duke kërcyer ritmet shqiptare, përfaqësues të ansambleve nga Turqia, Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, arbëreshët e Italisë etj.

Kanë qenë me dhjetëra qytetarë, që jo vetëm kanë ndjekur spektaklin e krijuar spontanisht, por edhe kanë fokusuar në celularët e tyre pjesëza nga festimet e festivalistëve në Sheshin e Flamurit.

Në orët e paradites grupe qytetarësh i janë drejtuar bregdetit, ku çelej zyrtarisht edhe sezoni turistik. Kreu i Bashkisë, Shpëtim Gjika, ka uruar për një sezon të mbarë, ndërkohë që konsulli italian në Vlorë ka vlerësuar ecurinë e deritanishme të turizmit në Vlorë, duke e cilësuar këtë si një qendër më të rëndësishme të jugut, e cila tashmë ka nevojë për hapa të mëtejshëm për zhvillimin e turizmit kulturor, sidomos pjesës së historisë. Festivalistët janë ngjitur në skenën e vendosur në zonën e Ujit të Ftohtë, për të performuar me pjesët e tyre më të mira. Plazhi publik është mbushur gjithashtu me plazhistë, pasi temperaturat kanë qenë të volitshme për një ditë të këndshme plazhi, ndërkohë që aktivitetet kanë vijuar përgjatë gjithë ditës. Festivali folk do të vijojë përgjatë tri ditësh në Vlorë, ndërkohë që këto ditë janë të mbushura me aktivitete në kuadër të çeljes së sezonit në Vlorë. Në orët e pasdites skena e festivalit vendoset në sheshin e lulishtes para Pallatit të Sportit, ku performojnë grupet folk. Ngjyrat e këtij të fundit janë transferuar paraditen e së dielës në pikën e Llogorasë, ku të ardhurit kanë patur mundësi të shijojnë edhe natyrën e bukur të kësaj pike. Mbrëmja e djeshme në qytet është mbyllur me ritme braziliane nga Rio de Janeiro, spektakël i karnavaleve të Rios.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›